Një shqiptar është arrestuar nga policia italianë ne provincën Latina. Ai akuzohet se ishte në krye të një rrjeti të trafikut të drogës në provincë.

Shqiptarit iu gjetën 3 kg kokainë dhe sipër pakove shkruhej “Rolex”.

Hetimi nisi nga raportimet për një aktivitet të pazakontë në një magazinë të braktisur në zonën e Sabaudia, ku ishin vërejtur disa lëvizje të çuditshme. Hetuesit vunë re një individ i cili hynte dhe dilte me shpejtësi nga godina dhe më pas kthehej në shtëpinë e tij, që e kishte afër me magazinën.

Karabinierët e ndaluan për kontroll dhe rezultoi se 33-vjeçari ishte akuzuar edhe më parë për trafik të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit në banesë, efektivët gjetën një sasi kokaine, si dhe materiale për paketimin dhe peshimin e lëndës. Më pas, kontrolli në magazinë çoi në zbulimin e dy pakove të tjera me nga një kilogram kokainë, të dyja të shënuara me logon e markës së njohur të orëve “Rolex”.

Gjithashtu gjatë kontrollit u gjetën 48 mijë euro cash. Shqiptari u dërgua në burgun Latina, në pritje të masës së sigurisë./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version