Ushtarët janë në rrugë në disa qytete në Ekuador, ndërsa vendi po kalon nga një ditë dhune të paprecedentë.
Persona të armatosur e të maskuar sulmuan një studio televizive gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në qytetin e Guayaquil, që pasuan me shpërthime bombash në të gjithë vendit gjatë mbrëmjes të së martës.
Më shumë se 130 punonjës të burgjeve po mbahen peng nga të burgosurit në pesë burgje.
Një gjendje e jashtëzakonshme 60-ditore filloi të hënën pasi një ‘boss’ famëkeq i një bande kriminale u arratis nga qelia e burgut, që e cila pretendohet të jetë edhe arsyeja e trazirave të krijuara.
Është e paqartë nëse sulmi në studion televizive në qytetin më të madh të Ekuadorit lidhej me zhdukjen e bosit të bandës “Choneros”, Adolfo Macías Villamar ose Fito, siç njihet ndryshe.
Presidenti Daniel Noboa shpalli gjendjen e jashtëzakonshme si masë të menjëhershme ndaj një vale të trazirave të fundit dhe arratisjeve nga burgjet dhe akteve të tjera të dhunës që autoritetet fajësojnë bandat kriminale.
Presidenti i Ekuadorit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa deklaroi se konflikt i brendshëm i armatosur ishte ulur ‘këmbëkryq’ në çdo cep të vendit.
Qeveria thotë se dhuna është një reagim ndaj planit të Presidentit Noboa për të ndërtuar një burg të ri të sigurisë së lartë për krerët e bandave.
Ai tha të mërkurën se Ekuadori do të fillojë të dëbojë të burgosurit e huaj, veçanërisht kolumbianët, për të reduktuar numrin e të burgosurve.
Zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres tha se ai ishte i alarmuar nga përkeqësimi i situatës dhe ndikimi shkatërrues i trazirave në jetën e ekuadorasëve.
Ndërkohë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se SHBA dënon fuqishëm sulmet e fundit, ndërsa zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se Uashingtoni ishte i përkushtuar të ndihmojë në mbështetjen e sigurisë dhe prosperitetit për popullin e Ekuadorit.
Disa orë pas sulmeve të bandave kriminale, Guayaquil ishte si një qytet që zgjohej nga një makth.
Pavarësisht nga përkeqësimi i situatës së sigurisë gjatë viteve të fundit, pakkush mund të priste ta shihte spikerin e kanalit televiziv shtetëror TC me një armë të drejtuar në kokë, në transmetim real.
Policia ka bërë 70 arrestime që nga e hëna, duke përfshirë edhe sulmin ndaj stacionit televiziv.
Rrugët janë kryesisht bosh , teksa qindra ushtarë, përfshirë në tanke, po patrullojnë rrugët e Guayaquil dhe kryeqytetit, Quito.
Në të gjithë vendin, shkollat kanë mbetur të mbyllura, me mësimet që zhvillohen online.
Kina, një investitor i madh në Ekuador, gjithashtu njoftoi se po mbyllte përkohësisht ambasadat dhe konsullatat e saj./vizionplus.tv/