Mundësia që marrëdhëniet Gjermani-SHBA të “ngrijnë” në rast se Donald Trump zgjidhet president është mjaft e lartë. Kështu shkruan gazeta gjermane BILD, e cila nxjerr në pah Vancen si zëvendëspresident , duke iu referuar deklaratave të herëpashershme të këtij të fundit për Gjermaninë.

Vance, i cili gjithashtu mori pjesë në Konferencën e fundit të Sigurisë në Mynih, pret që Berlini të bëjë më shumë për Ukrainën dhe e sheh politikën e qeverisë si kontradiktore.

“Ju po deindustrializoni vendin tuaj, ndërsa në të njëjtën kohë thoni se Putini duhet të mposhtet me të gjitha mjetet. Pra, meqenëse ai duhet mposhtur me çdo kusht, atëherë të dashur miq gjermanë, ndaloni së deindustrializuari ekonominë tuaj në emër të një politike qesharake të energjisë së gjelbër ”, tha ai nga Mynihu, duke i bërë thirrje Evropës që “të marrë një rol më agresiv për sigurinë e saj”.

Duke iu referuar NATO-s , J.D. Vance e bëri të qartë se ai nuk beson se SHBA duhet të tërhiqet nga Aleanca ose të largohet nga Evropa.

 “Por mendoj se duhet të ripërcaktojmë veten”, theksoi ai, duke sqaruar se çështja nuk ka të bëjë vetëm me paratë e shpenzuara. “Sa brigada të motorizuara mund të grumbullojë Gjermania nesër? Ndoshta një”, ka thënë ai.

Megjithatë, duke folur për BILD, Mary Kissel , një ish-bashkëpunëtore e Sekretarit të Shtetit të Donald Trump, Mike Pompeo, beson se një administratë Trump-Vance do ta shihte Gjermaninë si aleate. ”

Ata do të prisnin në mënyrë të arsyeshme që Berlini të mbajë premtimet e tij, veçanërisht me dy luftëra që po shpërthejnë në rajon”.

Megjithatë, në korrik 2023, kancelari Olaf Solz, duke iu referuar librit të Vance “Hillibily Elegy”, i cili u shkrua në vitin 2016 dhe trajton krizën e klasës së bardhë punëtore në SHBA, foli për një vepër “lëvizëse”, duke theksuar në të njëjtën kohë që megjithatë qëndrimet e shprehura më vonë nga autori i saj janë “tragjike”./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version