Policia japoneze po heton nëse përplasja mes një avioni të linjave ajrore dhe një avioni më të vogël në aeroportin e Tokios ndodhi për shkak të neglizhencës profesionale, njoftuan mediat të mërkurën. Të paktën pesë persona u vranë në njërin avion dhe qindra të tjerë u larguan nga aeroplani tjetër që u përfshi nga flakët.

Për mrekulli, të 379 pasagjerët arritën të largohen nga avioni Airbus A350 i Japan Airlines, që mori zjarr pasi u përplas me një aeroplan të vogël të Rojes Bregdetare, ndërsa ulej në Haneda mbrëmjen e së martës.

Vetëm një nga gjashtë pjesëtarët e ekuipazhit të aeroplanit të vogël Bombardier Dash 8 që po nisej me mision për të dërguar ndihma në perëndim të vendit pas tërmetit vdekjeprurës të së hënës, arriti të mbijetojë.

Një zyrtar i Bordit për Sigurinë e Transporteve u tha gazetarëve të mërkurën se hetuesit gjetën paisjen e regjistrimit të fluturimit të aeroplanit të vogël Dash 8, por nuk ishin të sigurtë nëse mund të nxirreshin të dhënat prej tij.

Agjencia rregullatore po bashkëpunon me agjencitë franceze dhe britanike, ku ishte prodhuar avioni A350 dhe motorët e tij Rolls-Royce.

Kompania Airbus tha se do të dërgonte këshilltarë teknikë për të ndihmuar me hetimet.

Policia tha se ka dislokuar një njësi të posaçme në aeroport për të hetuar incidentin, por refuzoi të komentojë për njoftimin se po heton për neglizhencë.

Në një deklaratë të martën, kompania ajrore Japan Airlines tha se avioni pati marrë dhe konfirmuar lejen e dhënë nga kontrolli i trafikut ajror përpara se të afrohej për t’u ulur.

Sipas regjistrimeve nga trafiku ajror, avionit iu miratua ulja vetëm pak minuta përpara se të ndodhte përplasja.

Një nga pasagjerët kujton tmerrin e momentit të përplasjes.

“Në ulje ndjeva tronditje të fortë dhe kur pashë nga dritarja vura re shkëndija dhe zjarr. Dhe kur ndaloi avioni, në më pak se një minutë, kabina u mbush me tym. Stjuardesa na çoi drejt daljes që të shpëtonim”, thotë pasagjeri Aruto Iwama.

Ai vlerësoi personelin e avionit për mbajtjen e situatës nën kontroll dhe tha se megjithëse kishte disa që bërtisnin, shumica qëndruan të qetë dhe pritën udhëzimet për largimin nga avioni.

“Mendoj se kjo është arsyeja pse arritëm të largoheshim pa probleme”, tha ai.

Ky është aksidenti i parë i këtyre përmasave i një avioni të tipit Airbus A350, që shërben si mjeti kryesor evropian për udhëtimet e gjata.

Vetëm muajin e kaluar, një organizatë amerikane për sigurinë e fluturimeve, Flight Safety Foundation, paralajmëroi për rrezikun e përplasjes në pistë dhe bëri thirrje për marrjen e masave në mbarë globin për të parandaluar këto lloj përplasjesh, ndërsa trafiku ajror po bëhet gjithnjë e më i mbingarkuar./voa

Share.
Exit mobile version