Ambasadorja amerikane në Ukrainë, Bridget Brink, ka thënë të martën se është plotësisht e bindur që Kongresi amerikan do të miratojë ndihmë shtesë për Ukrainën, mirëpo nuk mund ta parashikojë kur mund të ndodhë.

“Jam 100 për qind – 1.000 për qind e sigurt që do të vazhdojmë mbështetjen”, u ka thënë Brink gazetarëve në Kiev.

Paketa e ndihmës në vlerë të 61 milionë dollarëve është bllokuar që disa muaj në Kongres, për shkak të mospajtimeve politike, pavarësisht se presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se dështimi i Dhomës së Përfaqësuesve, të udhëhequr prej republikanëve, për të autorizuar ndihmën, do të jetë në të mirë të presidentit rus, Vladimir Putin.

“Kjo është çështje shumë politike, të cilën nuk mund ta parashikojmë. Mirëpo mund të them që ne i kemi paraqitur të gjitha argumentet pse është e rëndësishme, pse është e rëndësishme për ju që jo vetëm të fitoni në fushëbetejë, por edhe të kenë siguri ekonomike dhe pavarësi”, ka thënë Brink.

Ajo ka thënë se ka folur me udhëheqësin e Dhomës së Përfaqësuesve, republikanin Mike Johnson, dhe e di që ai mbështet Ukrainën dhe “e kupton rëndësinë që Rusia të humbë këtë luftë”.

Brink ka thënë se Biden dhe të gjithë diplomatët amerikanë, janë duke punuar në këtë drejtim, për ta finalizuar ndihmën sa më shpejt që është e mundur.

“Mesazhi im është që nuk duhet humbur kohën, nuk duhet humbur asnjë ditë, asnjë orë, asnjë sekondë. Njerëzit këtu vdesin çdo ditë”, ka thënë ajo duke iu referuar komenteve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të bëra ditë më parë, për mungesën e armëve dhe tërheqjen e forcave ushtarake ukrainase prej qytetit Avdivka.

Zelensky ka thënë më 19 shkurt, se vonesat në dërgim të armëve e kanë bërë luftën “shumë të vështirë”.

Të martën, presidenti rus, Vladimir Putin e ka përgëzuar ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu për kapjen e Avdivkas, dhe i ka bërë thirrje që Rusia të avancojë edhe më shumë.

Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/

Share.
Exit mobile version