Britani e Madhe- Një shqiptar që organizoi kalime me varka të vogla për emigrantët, duke përfshirë fëmijë të moshës pesë vjeç, është burgosur pas një hetimi të Agjencisë Kombëtare të Krimit.

Mustaf Cunaj, 41 vjeç, i cili jetonte në Tolworth, në jugperëndim të Londrës, ishte në kontakt të vazhdueshëm me kontrabandistët që vepronin në Francën veriore në verën dhe vjeshtën e vitit 2022.

Ai përdorte pseudonimin ‘John Brown’ për të kontaktuar emigrantët përmes WhatsApp dhe për të rregulluar kalimet me varka të vogla përtej Kanalit nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar.

Hetuesit e NCA-së, thanë se Cunaj ishte përgjegjës për të paktën 31 kalime brenda një periudhe prej pesë javësh.

Në një bisedë me një kontrabandist, ai organizoi kalimin e një gruaje dhe fëmijëve të moshës pesë dhe nëntë vjeç, duke ulur çmimin nga 8,000 £ në 7,500 £ për kalimin e tyre.

Oficerët zbuluan se ai kishte ndarë më shumë se 800 mesazhe me këtë kontakt, pjesë e një rrjeti të kontrabandës së njerëzve në Francën veriore, midis gushtit dhe shtatorit 2022.

Në një tjetër bisedë të përgjuar, Cunaj iu referua blerjes së varkave me çmime që varionin nga 4,000 deri në 4,500 £ për varkë. Ai ka pyetur edhe për jelekët e shpëtimit, duke i thënë kontaktit të tij “Kam pesë persona, ata nuk dinë [të veshin jelek shpëtimi] pasi janë fëmijë të vegjël”.

Nga telefoni i tij u gjetën gjithashtu video që tregonin një varkë duke u nisur nga një plazh dhe një tjetër varkë me emigrantë të veshur me jelek shpëtimi në mes të detit.

Cunaj u arrestua për herë të parë nga oficerët e NCA në tetor 2022, por më pas u lirua dhe u hetua në gjendje të lirë.

Ai u arrestua sërish në shtator 2023 dhe u akuzua për kontrabandë të qenieve njerëzore.

Edhe pse Cunaj mohoi akuzat, Gjykata e Kingston Crown më 23 prill 2024 e dënoi me 9 vjet burg./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version