Federata e Futbollit të Serbisë i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të UEFA-s, Teodor Teodoridis, pas ndeshjes ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë (2:2).
Federata e Futbollit të Serbisë ka kërkuar të sanksionohen dy federatat, ato të Shqipërisë dhe të Kroacisë.
Po ashtu, Federata e Futbollit serb është ankuar zyrtarisht edhe për rastin e Mirlind Dakut, i cili në përfundimin e sfidës ka marrë megafonin e tifozëve dhe ka brohoritur siç pretendohet kundër maqedonëve dhe serbëve.
“Federata e Futbollit të Serbisë ju drejtohet në lidhje me ngjarjet në ndeshjen e djeshme të turneut final EURO 2024 ndërmjet ekipeve kombëtare të Kroacisë dhe Shqipërisë (Faza e grupit, Grupi B, Hamburg, 19.06.2024), kur pati një thirrje të përbashkët të turpshme nga tifozët e të dyja kombëtareve, e cila drejtohej kundër kombit serb në tërësi”, thuhet në reagim.
“Siç me siguri jeni të informuar, nga 58 minuta e 28 sekonda deri në minutën 58 e 50 sekonda, tifozët kroatë dhe shqiptarë kanë thirrur së bashku ‘Vrite, vrite Serbin’. Nuk bëhet fjalë për individë nga radhët e tifozëve, por një numër i madh i tifozëve të këtyre kombëtareve, gjë që në atë moment nuk është sanksionuar sipas rregullores së UEFA-s, e cila është e qartë, si dhe veprimet e zyrtarëve në ato situata”, tha Federata e Futbollit të Serbisë.
“Sipas informacioneve që kemi, një lojtar i skuadrës shqiptare, pas përfundimit të lojës, përballë tribunës me tifozët shqiptarë, ka përdorur megafonin për të brohoritur të njëjtat thirrje dhe në këtë mënyrë duke ndezur turmën”, vazhdon reagimi.
Federata e Futbollit të Serbisë ka thënë se në momentin kur ka nisur brohoritja e lartpërmendur nga tifozët e të dyja kombëtareve, loja është dashur të ndërpritet.
Federata e Serbisë çon ankesë zyrtare në UEFA kundër Mirlind Dakut / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.