Kombëtarja shqiptare luan sot në Hamburg kundër Kroacisë në Volksparkstadion, shtëpia e klubit të futbollit Hamburger SV, i cili është një nga më të vjetrit dhe më të famshmit në Gjermani.
Është një stadium me një histori të gjatë që nis në dekadën e dytë të shekullit të kaluar.
Së pari, ishte stadiumi i quajtur Bahrenfelder, i cili u ndërtua dhe u përurua në vitin 1925 si shtëpia e Altonës, dikur një nga klubet më të mira gjermane të futbollit dhe një rival i madh i Hamburger SV.
Ndërmjet viteve 1951 dhe 1953, stadiumi u rinovua dhe më 12 korrik u hap me emrin e ri Volksparkstadion. Shumica e materialeve të ndërtimit erdhën nga rrënojat e Eimsbüttel, një lagje që u shkatërrua gjatë bombardimeve të forcave aleate ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Stadiumi i ri kishte një kapacitet prej 75,000 spektatorësh dhe përdorej për ngjarje të ndryshme sportive të qytetit të Hamburgut.
Në vitin 1963, kur Hamburger SV u kualifikua në Bundesligë, ata u transferuan në Volksparkstadion, i cili ishte edhe më i madh dhe më moderni në regjion.
Në maj të vitit 1996, klubi vendosi të prishë objektin e vjetër dhe të ndërtojë një stadium krejtësisht të ri. U hap në vitin 2000 me një ndeshje mes Gjermanisë dhe Greqisë. Vendasit fituan me rezultat 2:0. Me një stadium të ri që kushtoi 100 milionë euro, HSV arriti të arrijë një frekuentim mesatar prej 50 mijë spektatorësh. Arena e re shërbeu për nevoja futbolli, por edhe për koncerte të famshme në Hamburg. Në vitin 2004, u hap një muze kushtuar historisë së HSV.
Aktualisht, ky stadium pret ndeshjet edhe të skuadrës ukrainase, Shakhtar dhe do të presë pesë ndeshje të Kampionatit Evropian.
Histori bombardimesh për stadiumin e ndeshjesh Shqipëri-Kroaci / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.