Prej javës së ardhshme, anëtarët e rinj të qeverisë pritet të marrin detyrën. Qeveria do të ketë një zëvendëskryeministër të parë dhe katër zëvendëskryeministra të tjerë. Njëri prej tyre konsiderohet një politikan që mban lidhje me Rusinë. Shumica e ministrave të ardhshëm tashmë kanë përvojë në kryerjen e funksioneve në pushtetin ekzekutiv, legjislativ apo lokal.
Pas festimit të ditëlindjes së 34-të të partisë dje (17 qershor), kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, sot në Kuvend do ta paraqesë propozimin për përbërjen e re të qeverisë dhe programin e punës. Megjithatë, diskutimi dhe votimi pritet të bëhet në fund të javës.
Qeveria e ardhshme, përfshirë Hristijan Mickoski si kryeministër, do të ketë 24 anëtarë.
Ajo do të ketë pesë zëvendëskryeministra, vetëm tre ministre femra dhe pothuajse të gjithë, me përjashtim të katër, tashmë kanë përvojë si funksionarë në ekzekutiv, legjislativ apo në pushtetin lokal.
Disa prej tyre kanë qenë në pozita gjatë qeverisjes së LSDM-së. Përveç dy komuniteteve më të mëdha – maqedonase dhe shqiptare, në eshalonin e parë të pushtetit ekzekutiv do të ketë edhe zyrtarë nga komuniteti serb dhe rom.
Maqedonia e Veriut në qeverinë e re do të ketë edhe një zëvendëskryeministër që kultivon marrëdhënie të mira me Rusinë, Ivan Stoilkoviq, i cili edhe derisa ishte deputet, në periudhën pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, ai vizitoi edhe Moskën.
“Gjatë zgjedhjeve kadrovike për përbërjen e qeverisë së re, jam udhëhequr nga parimet e ndershmërisë dhe përkushtimit, të jenë njerëz që do t’i japin energji të madhe proceseve dhe do të investojnë plotësisht në realizimin e synimeve ambicioze të vendosura. Nuk e kemi luksin të mos ia dalim”, tha Mickoski gjatë prezantimit të mbrëmshëm të propozimeve për ministra nga OBRM-PDUKM dhe koalicioni.
Nga ana tjetër, opozita hesht për momentin për vendimet kadrovike të qeverisë së re. Ndër reagimet e rralla është ai që vjen nga nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.
“Marrëveshja e Ohrit për herë të parë që nga viti 2001 është në duart e një serb me bindje putiniste! Ndryshimi sapo ka filluar!”, ka komentuar Ademi.
Reagimi i tij i referohet propozimit që Ivan Stoilkoviq, kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni dhe partner koalicioni i OBRM-PDUKM-së, të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve.
Ai në këtë pozitë do të kalojë nga Kuvendi duke pasur parasysh se në zgjedhjet e 8 majit është zgjedhur deputet nga lista e OBRM-PDUKM-së dhe koalicionit.
Stoilkoviq konsiderohet si politikan i afërt me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, i cili është nën sanksionet e SHBA. Ndërsa kultivon edhe marrëdhënie të mira me Rusinë.
Ai ishte njëri nga tre deputetët, së bashku me Rexhep Ismail Haktanin dhe Borislav Krmovin nga “E Majta”, të cilët javën e kaluar u paraqitën si mysafirë në pritjen shtetërore me rastin e festës kombëtare – Ditës së Rusisë të organizuar nga Ambasada ruse në Shkup.
Në maj të vitit të kaluar, Stoilkoviq mori pjesë në forumin ndërkombëtar të sigurisë në Moskë.
“Përvoja e çmuar dhe shumë njohuri të reja, ky është bilanci i udhëtimit tim në Rusi”, ka shkruar Stoilkoviq në Facebook pas pjesëmarrjes në këtë event.
Për emërimin e Stoilkoviqit për zv.kryeministër në Qeverinë e RMV-së ka reaguar edhe ish-inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani. Ai ka thënë se Ivan Stoilkoviq është një nga rrezikuesit e paqes në Ballkan dhe sipas tij duhet të ndëshkohet e jo të promovohet në detyrën e ministrit në Maqedoninë e Veriut.
Ramadani, njohës i sigurisë në një postim në Facebook shkruan se Ivan Stoilkoviq është puthador i Vulinit dhe Dodikut në besnikërinë e tyre për Putinin, ndërsa pyet se si do të sillen karshi kësaj deputetët shqiptarë në Shkup./Telegrafi/
Qeveria e Mickoskit me zv.kryeministër të afërt me Moskën dhe tre gra ministre appeared first on Telegrafi.