Trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho në konferencën për media një ditë para ndeshjes me Italinë në Euro 2024, ka thënë se ekipi është gati, raporton gazeta online Reporteri.net.
Në konferencën e mbajtur bashkë me kapitenin Berat Gjimshiti, Sylvinho ka thënë se do të jetë bukur që Shqipëria do të luajë në stadiumin e Dortmundit që do të jetë i mbushur me shqiptarë.
“Jam i lumtur që jam në Euro 2024, është kompeticion i madh. Futemi për të luftuar për çdo pikë, edhe pse kemi grup të vështirë. Italia është skuadër ‘top’, ka trajner fantastik. Do të jetë bukur të luajmë në një stadium kuqezi”, ka thënë trajneri brazilian.
Ndërkaq, Gjimshiti ka thënë se trajneri ua ka treguar pikat e forta të Italisë.
“Nëse e nisim mbarë do të jetë motivim për ne. E dimë forcën e Italisë, trajneri na i ka treguar pikat e forta. E njohim kundërshtarin, që është edhe kampion në fuqi i Evropës. Duhet kujdes, ata duan të fitojnë trofeun në fund”, ka thënë kapiteni i kuqezinjve.
Sylvinho: Jemi gati, do të jetë bukur të luajmë në një stadium kuqezi / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.