Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi vijon të jetë e njëjtë.
Ai ndodhet ende në intubim por mjekët janë optimistë pasi edema që ka në një zonë të trurit nuk është zmadhuar.
Të paktën për momentin nuk vlerësohet ndonjë ndërhyrje kirurgjikale, bëjnë me dije burime për gazetarin Esido Barkaj.
Nga ana tjetër policia ka vijuar kontrollet edhe gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës por ende nuk ka gjurmë të 3 të shpallurve në kërkim.
Sipas sistemit TIMS ata rezultojnë brenda vendit. Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që të jenë larguar jashtë vendit në mënyrë ilegale.
Mëngjesi prej ditës së martë kur u dhunua, vijon të jetë i intubuar pasi ndodhet në gjendje të rënë shëndetësore.
Autorë të sulmit janë Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alija dhe Dorian Alia. Ky i fundit u vetëdorëzua në polici ditën e djeshme.
Ai ka pranuar para hetuesve që ata e kishin planifikuar sulmin. Alia ka deklaruar se e kishin ndjekur avokatin dhe rrinin vazhdimisht duke komunikuar me agresorët e tjerë për lëvizjet e tij.
I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si pasojë e konfliktit të lindur mes tyre dhe avokatit për pjesën e pagesave të kontratës për pronën.
Nga ana tjetër, Dritan Nano, ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.
Ngjarja ndodhi në ambientet e kopshtit nr.31 në zonën e ish Bllokut, ku Mëngjesi po çonte djalin e vogël, ditën e djeshme, 29 maj. /vizionplus.tv