Të gjithë efektivët e policisë kanë dorëzuar formularët ku kanë deklaruar nëse në të kaluarën kanë qenë apo jo përdoures të aplikacioneve të komunikimeve sekrete Sky dhe Encrochat.
Rreth 13.500 punonjës të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës i janë nënshtruar plotësimit të këtij formulari, por ata kanë mohuar të kenë përdorur më herët aplikacionet “SkyECC” dhe “EncroChat”.
Dokumentacioni është dorëzuar pranë Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, organ i cili pritet që të kryejë një analizë të plotë në ditët në vijim.
Ky proces është përmbyllur disa ditë përpara përfundimit të afatit, pasi sipas urdhrit të ministrit Taulant Balla data 5 janar ishte dita e fundit të dorëzimit të formularëve të firmosur.
Më herët ishte vetë ministri Balla i cili urdhëroi që të publikohet dhe të plotësohet nga e gjithë struktura e policisë ky formular.
Kjo për shkak se në hetimet që Prokuroria e Posaçme ka nisur në kuadër të dosjes Metamofoza rezultoi se në grupet kriminale të përfshirë në trafik droge, apo në vrasje ishin të përfshire edhe zyrtarë të policisë. Burime nga organi i hetimit tregojnë se numri i efektiveve të përshirë në botën e krimit është i lartë.
Edhe pse policet në formularët e tyre kanë mohuar që të jenë kenë përdorur këto aplikacione, AMP pritet që të kryejë hetime për të parë nëse deklarimet janë të vërteta apo. Në rast se provohet se një efektiv ka përdorur Sky apo Encrochat, ai do të përjashtohet nga rradhët e policisë dhe do të hetohet për deklarim të rremë.
Ministri Balla ka paralajmeruar gjithashtu se të gjithë punonjësit e policisë do të plotësojnë edhe një formuar të dytë për dy aplikacione të tjera që sipas ndërkombëtarëve dyshohet se janë përdorur nga uniformat blu për të komunikuar me personazhe të krimit./vizionplus.tv