Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka dalë në mbrojtje gazetares së sportit në RTK, Qëndresa Krelani dhe ka bërë thirrje që të ndalen fushatat denigruese ndaj saj.
“Në disa video të shpërndara së fundi, vihet në pah në mënyrë nënçmuese deklarata e ish-trajnerit të Kombëtares së Kosovës, Ghila i cili kishte deklaruar se ka marrë parasysh këshillat e gazetares për formacionin që kishte vënë në fushë në një prej ndeshjeve”, thuhet në reagim.
AGK-ja, i dënon fuqishëm këto fushata dhe u bën thirrje të gjithë akterëve, duke përfshirë kolegë të sportit, që t’i ndalojnë ato menjëherë.
“Krelani është një shembull i jashtëzakonshëm i një gruaje në gazetarinë sportive, të super-dominuar nga burrat. Puna e saj shërben si shembull e inkurajim për të tjera gra që të merren me gazetari sportive, dhe fushatat kundër saj e dëmtojnë rëndë këtë kauzë”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja i del në mbrojtje gazetares Krelani, kërkon të ndalen fushatat denigruese kundër saj / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.