Imuniteti nuk do të jetë më mburojë e plotë për deputetët. Tashmë të 140 ligjvënësit e parlamentit janë njëlloj të ekspozuar përsa i përket kërkesave të mundshme që SPAK mund të bëjë për masën detyrim paraqitje. Në këto kushte, “Rasti Berisha” është i pari, por jo i vetmi.
I pyetur nga Vizion Plus në një takim informal, mbi debatin që shoqëroi kërkesën për masën e sigurisë dhe pse SPAK nuk iu drejtua parlamentit, Dumani iu përgjigj:
“Nuk mund t’i japim Kuvendit kompetenca kushtetuese kur nuk i ka. E kemi diskutuar. Është diskutuar edhe me drejtuesin e prokurorisë. Kërkesa është lënë në fuqi nga të dyja shkallët, edhe ajo e parë edhe nga Apeli”.
Sa i përket vendimeve të sekuestrove ndaj Monika Kryemadhit, apo hetimeve mbi Ilir Metën, Dumani tha:
“Kontrollet tona janë instrument apo mekanizëm si mjet për të gjetur prova. Sa i takon Metës, është çështje ndaj të cilës po kryhen ende hetime dhe nuk kam një koment”.
Nëse Mirel Mërtiri, Stela Gugallja e Adriatik Llalla do të ekstradohen apo jo, në një kohë kur kanë bërë kërkesë për azil politik në vendet ku ndodhen, Dumani shprehet:
“Nuk kemi një vendim refuzimi për kërkesën e ekstradimit. Ka patur një qëndrim nga partnerët që janë duke u kryer procedurat e ekstradimit të personave në fjalë”.
Në një kohë që Arben Ahmetaj është ende në kërkim, SPAK sipas Dumanit po vijon hetimet paraprake për inceneratorin e Tiranës, pa përjashtuar asnjë zyrtar që mund të ketë kryer veprime penale, apo persona të tjerë që kanë pasur në duar vendimmarrje.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pranoi gjithashtu se është regjistruar një procedim për ceshtjen e ish zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal. Dumani nga ana tjetër tërhoqi vëmendjen për praninë e madhe të punonjësve të policiësë, pasi sipas tij, në thuajse cdo dosje ka të tillë të implikuar.
Dumani iu përgjigj edhe interesimit për çështjen e Sterilizimit dhe qëndrimit për kërkesën Detyrim Paraqitje ndaj ish- ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj nëse është apo jo standard i dyfishtë:
“Jemi prokurorë por s’do të thotë të mendojmë dhe arsyetojmë të gjithë njësoj. Kam ndërhyrë me udhëzim detyrues, që në muajin Maj, kur nuk ishin dhënë masat e para (për Rrjepaj e Rrapaj). Kam shprehur qëndrimin tim në raport me çështjen dhe rolin e ish- ministrit. Prokurorët e çështjes në vijim kanë marrë pjesërisht në konsideratë qëndrimet e mia por edhe të gjyqtarit Bani. Kështu funksionon sistemi, ç’mund të them tjetër?”, tha Dumani.
Viti 2024 ka për të qenë i rëndësishëm edhe për hetimet proaktive që kanë tashmë kanë nisur. Sipas Dumanit gjatë 2023 është dyfishuar numri i këtyre hetimeve. Vetëm për këtë vit tha ai se jane nisur 68 çështje kryesisht, duke mbajtur rekordin e 3 vjetëve SPAK./vizionplus.tv/