Një pjesë e analistëve në Shkup vlerësojnë se qëndrimet nacionaliste të VMRO-DPMNE-së do të nisin të ndryshojë me fillimin e formimit të kabinetit të ri qeveritar.
Isen Saliu thotë se retorika e ashpër e partisë VMRO-DPMNE kundrejt ndryshimeve kushtetuese duke qenë në opozitë dhe në veçanti gjatë fushatës do të vijë duke u zbutur tani që ajo arriti një fitore të thellë në zgjedhjet e dyfishta. Analisti thotë se do të ndryshojnë edhe raportet e kësaj partie lidhur me procesin e integrimit të vendit në BE. Ai nuk pret që në Maqedoninë e Veriut të krijohet një realitet politik që në masë më të madhe do të mund të kundërshtonte proceson e anëtarësimit në BE:
“Mendoj se kjo në masë të madhe do të varet edhe nga faktorë të jashtëm që nuk janë në Maqedoni, nga zhvilliment në Sofje. Po ashtu, na presin zgjedhje edhe për në Parlamentin Evropian dhe varet në Bruksel se çfarë realiteti politik do të kemi dhe çfarë prioriteti do t’i jepet zgjerimit të BE-së”, komenton zoti Saliu.
Në kuadër të debateve se cilat parti shqiptare do të duhej të hynin në qeveri, analisti Besim Nebiu thotë se koalcioni VLEN ka legjitimitetin për përfaqësimin e votës shqiptare në koalicionin e pritshëm qeveritar.
Ndërsa, në aspektin politik ai pret të këtë më tepër sfida për shkak se ka dallime midis VMRO-së dhe VLEN-it sa i takon çështjeve të integrimit evropian dhe ndryshimit të Kushtetutës. Por, ai vë në dukje se këto dallime do të fillojnë të zbuten sidomos ajo për çështjen e bisedimeve me BE-në.
“Siç e dimë, kjo çështje është një nga parakushtet, të cilat edhe VLEN po edhe Fronti Evropian para elektoratit të vete e kanë vendosur për krijim të qeverisë”, tekson zoti Nebiu.
Ndërkohë, zoti Saliu shprehet se asnjëri nga koalicioniet e partive shqiptare nuk guxon të tërhiqet nga kërkesat dhe kushtet e tyre për të hyrë në qeveri sepse një gjë e tillë, sipas tij do t’i dëmtonte vetë ato.
Zoti Nebiu nënvizon mungesën e përparimit drejt procesit të integrimit të vendit drejt BE-së gjatë pushtetit 11 vjeçar të VMRO-DPMNE-së dhe nga paraqitja e saj në fushatën e fundit, thotë se janë reale shqetësimet lidhur me qasjen e partisë në këtë drejtim:
“Duhet të presim, të shohim javën tjetër se cila do të jetë platforma e përbashkët qeveritare dhe sa do të ketë në të theks dhe me çfarë narrativi do të dilet, në kuptim të fillimit të negociatave”, thotë Nebiu.
Analisti thotë se duhet pritur dhe parë edhe mundësitë e partnerit shqiptar të koalicionit të ri qeveritar në paraqitjen e programit të tij lidhur me integrimin evropian të vendit.
VMRO-ja ka bërë të ditur publikisht ftesën për koalicionin VLEN në qeverinë e ardhshme dhe mbylljen e derës për BDI-në, ndonëse kjo e fundit me Frontin Evropian ka 6 deputetë më tepër se VLEN-i. BDI-ja duket se e ka të vështirë të pranojë të kalojë në opozitë. Ndërkohë, pritjet e opinionit publik janë që kalimi i pushtetit të bëhet në mënyrë të qetë dhe demokratike./voa