“Rezultati është zhgënjyes, LSDM-së i është dhënë goditje e rëndë”, tha kryetari i partisë Dimitar Kovaçevski, duke i uruar fitoren rivalëve të tij politikë. Ai theksoi se përgjegjësi për rezultatin e keq të zgjedhjeve kanë të gjithë zyrtarët partiakë, përfshirë edhe vetë atë. Kovaçevski paralajmëroi proces të rindërtimit të LSDM-së, që do të përfshijë zgjedhje brendapartiake për kryetar të partisë dhe për të gjitha organet e partisë në nivel qendror dhe lokal.
“LSDM-ja do të duhet të shikojë mirë nga brenda për të parë se çfarë kemi bërë dhe cilat janë rezultatet dhe dobësitë në 4 vitet e fundit, ndoshta edhe në 7 vitet e fundit. Dhe më e rëndësishmja, çfarë duhet të bëjë për të rikthyer besimin e qytetarëve që e kemi humbur”, tha Dimitar Kovaçevski – kryetar i LSDM-së.
Disa nga zyrtarët e lartë të LSDM-së vendosën të mos presin zgjedhjen e kryesisë së re dhe dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre. Nga posti i nënkryetarit janë dorëhequr Fatmir Bytyqi dhe Pero Kostadinov, ndërsa Jovana Trençevska nga posti i kryetares së Forumit të Gruas.
Sipas Kovaçevskit procesi i konsolidimit mund të kryhet vetëm nga persona që nuk kanë bagazh nga e kaluara. Ai ka urdhëruar që të mos devijohet nga integrimi evropian sepse vendi nuk ka zgjidhje tjetër.
“LSDM-ja do të sillet me përgjegjësi, por topi tani është në duart e Qeverisë së re të udhëhequr nga Hristijan Mickoski. Të gjithë ata që mendojnë se votimi i sotëm ishte kundër Evropës ose që përpiqen të bllokojnë rrugën e natyrshme të Maqedonisë që çon në BE, jo vetëm që do të sjellin rënie të madhe të standardit të jetesës, por do të rrisin tensionet etnike dhe do të na ekspozojë ndaj rrezikut të sigurisë që askush nga ne nuk mund ta kuptojë se sa i madh mund të jetë”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, i cili shtoi se LSDM-ja do të sillet me përgjegjësi si opozitë.
Kovaçevski pas humbjes në zgjedhje: Do të jemi opozitë e përgjegjshme appeared first on Telegrafi.