Qytetarët e Maqedonisë së Veriut i dhanë fund qeverisjes shtatëvjeçare të Lidhjes Social-Demokrate në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare, që u mbajtën më 8 maj.
OBRM-PDUKM-ja, deri tash në opozitë, u shpall fituese si në balotazhin për kreun e shtetit, ashtu edhe në zgjedhjet për Parlamentin e ri.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kandidatja për presidente, Gordana Silanovska Davkova, fitoi mbi 65 për qind të votave, kundrejt presidentit të deritanishëm, Stevo Pendarovski, i cili mori rreth 30 për qind të votave.
OBRM-PDUKM-ja shënoi fitore të thellë edhe në zgjedhjet parlamentare, me mbi 43 për qind të votave, apo 58 mandate nga 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut.
Me këto rezultate, LSDM-ja përjetoi disfatën më të thellë që nga formimi i saj në vitin 1990.
Ajo do t’i ketë 19 ulëse në Parlament, apo vetëm një më shumë se Fronti Evropian që kryesohet nga partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili mori 19 mandate.
Koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN, arriti të sigurojë 13 mandate, ndërsa të tjerat u ndanë mes partisë E Majta dhe lëvizjes ZNAM.
Disfata e thellë e LSDM-së lidhet me disa faktorë, si: dështimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mungesa e sundimit të ligjit, kriza e thellë ekonomike, por edhe “lëshimet” që ka bërë ndaj partnerit të saj qeverisës, BDI-së, thonë analistët.
OBRM-PDUKM-ja e ka akuzuar atë për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar.
Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, e pranoi disfatën dhe nuk e përjashtoi mundësinë që së shpejti të largohet nga udhëheqja e partisë.
“LSDM-ja mori një grusht të rëndë. Kemi marrë dënimin nga votuesit. Askush nuk është realisht pa përgjegjësi”, tha Kovaçevski.
Partia e tij fajësohet njëkohësisht edhe për politikën e saj të jashtme.
Ajo në vazhdimësi është akuzuar për “tradhti”, pas marrëveshjes me Greqinë në vitin 2018 për ndërrimin e emrit të shtetit nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut, si dhe për pranimin e një marrëveshjeje me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez”, për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim përfshirjen e pakicës bullgare në të si popull shtet-formues.
Për shkak të këtyre marrëveshjeve, LSDM-ja ishte në shënjestër të akuzave për “shitje të interesave kombëtare maqedonase”.
Zbatimi i marrëveshjes me Bullgarinë tani pritet të jetë sfida kryesore e Qeverisë së re, që do të formohet nga OBRM-PDUKM-ja.
Kreu i kësaj partie, Hristijan Mickoski, në paraqitjen e parë para mediave pas shpalljes së rezultateve preliminare të KSHZ-së, u përqendrua në rezultatin e arritur dhe formimin e shpejtë të Qeverisë së re.
“Në këto zgjedhje ka fituar Maqedonia, e cila u përket maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve, serbëve, boshnjakëve, popullit krenar që tregoi vendosmëri dhe qetësi. Qeveria në Maqedoni ka rënë dhe ka një arsye për këtë. Krimi, korrupsioni, paaftësia, vlerat e rrejshme, shteti i konfiskuar, tenderët, nepotizmi dhe njëqind pasoja të tjera, që e bënë shtetin të vuajë dhe popullin të zhgënjyer”, tha Mickoski.
Ai paralajmëroi formimin e Qeverisë së re me koalicionin e opozitës shqiptare, VLEN, pavarësisht se zgjedhjet në mesin e shqiptarëve i fitoi Fronti Evropian, i kryesuar nga BDI-ja.
“Koha është që BDI-ja, së bashku me LSDM-në, të kalojnë në opozitë. Populli ia dha leksionin më të rëndësishëm Qeverisë [së deritashme] dhe shpëtoi vendin e tij”, tha Mickoski.
Opozita shqiptare u deklarua, po ashtu, për një qeverisje me OBRM-PDUKM-në.
“Besojmë se, duke i pasur parasysh numrat, do të kemi një shumicë të sigurt, andaj jemi të bindur se Qeveria e re do të formohet shumë shpejt”, tha Bilall Kasami nga koalicioni VLEN.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili gjatë fushatës ka kritikuar vazhdimisht OBRM-PDUKM-në për, siç ka thënë, “politika antievropiane”, bëri thirrje për respektimin e vullnetit të qytetarëve, të shprehur në zgjedhje, me qëllim të, siç tha, ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit.
“Sot, shteti jonë më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, paqe, zero probleme me fqinjët, luftë kundër korrupsionit dhe fillim të negociatave për anëtarësim në BE”, tha Ahmeti.
Çështja e integrimit evropian nuk u përmend as nga fituesja e zgjedhjeve presidenciale, Gordana Silanovska Davkova, nga krahu i djathtë.
Ajo tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve pa dallim.
Humbësi i zgjedhjeve presidenciale, Stevo Pendarovski, shprehu keqardhje që, siç tha, koncepti i tij për shoqëri shumetnike, të integruar në strukturat euroatlantike, nuk mori mbështetjen e qytetarëve.
Pendarovski tha se mbetet thellësisht i bindur se vetëm një vend i tillë mund të jetë i begattë dhe demokratik.
Në zgjedhjet presidenciale votuan mbi 46 për qind e mbi 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa dalja në votime për zgjedhjet parlamentare ishte mbi 53 për qind./REL/
Opozita maqedonase fiton zgjedhjet e dyfishta appeared first on Telegrafi.