Në studion e “7pa5” në Vizion Plus u diskutuan sot kushtet e punës në Shqipëri dhe puna me orare të zgjatura.
Psikologia Eleni Topi dhe eksperti i punësimit Erion Muça vunë në dukje se në vendin tonë nuk ka një balancë të punës dhe të jetës personale, teksa theksuan se në vendet europiane po fillon të praktikohet java e punës më 4 ditë.
“Të dhënat tregojnë që në 2024 janë sfida të tjera, por problematika mbetet. Janë krijuar mundësitë dhe hapësirat e nevojshme për të reduktuar orët e punës. Tani nuk kemi vetëm krah pune, por edhe mendje pune.
Ne kemi patur një problem në Shqipëri, mungesa e sistemeve dhe mekanizmave të brendshme për të matur produktivitetin e punonjësit në punë. Matja e performancës në Shqipëri përgjithësisht mungon gjë që ka sjell për ta parë dispozicionin e punonjësit vetëm nga orët që punojnë. Është edhe mentaliteti i sipërmarrjes, ku një pjesë e mirë e sipërmarrësve nuk i atribuojnë punonjësve suksesin që kanë”, tha Muça.
Ndërkohë psikologia vuri në dukje se një balancë mes punës dhe kohës që njeriu kalon me familjen është mjaft e rëndësishme.
“Balanca në punë është e rëndësishsme, pasi individi që ka një balancë ka mundësi që edhe produktivitetin ta ketë më të lartë. Në vendet e huaja është vënë re që sistemi që gjithnjë e më shumë ndryshon për t’iu përshtatur edhe individit që produktiviteti të jetë më i lartë. Një balancë e mirë dhe kur individi ka një pagesë qëë ushqehet shëndetshëm, kalon kohë me familje, punonjësi është me efiçent në punë”, tha Topi.
“Europa dhe bota janë në fazë vlerësimi dhe analize që kanë të bëjnë me produktivitetin dhe kënaqësinë e puynonjësve në vendin e punës. Belgjika provoi 4 ditë në javë dhe po mat rezultatet. Në Shqipëri është e mundur, por duke bërë një selektim të punëve që mund të bëhen me orare të reduktuara”, u shpreh Muça.
Nga ana tjetër Topi theksoi se në shumë sipërmarrje mungon motivimi për punonjësit.
“Janë disa biznese që janë paksa inovative, por ajo që shoh unë është që mungon pjesa e motivimit dhe shpërblimit në punë. Duke filluar që nga fjala, klima që është midis punonjësve dhe pastaj te shpërblimi, te pjesa e pagesës, te bonuset që jepen. Shpërblimi është pjesa kryesore që e bën një punonjës të ndihet i motivuar”, tha ajo. /vizionplus.tv