Mile Jovanovski me dy fëmijët e tij dhe bashkëshorten, këtë vit pushimet verore do t’i kalojnë në Shqipëri. Këtë vendim e ka marrë pasi, siç thotë ai, ka kosto të lartë që të gjithë përnjëherë t’i ndryshojnë dokumentet për udhëtim me emrin e ri të shtetit, Maqedoni e Veriut.
“Nuk kam pasaportë, ndryshe zakonisht kemi shkuar për pushime në Greqi, por pasi bisedova me bashkëshorten, ramë dakord që pushimet këtë verë t’i bëjmë në Shqipëri. Për të nxjerrë katër pasaporta të reja me procedurë të shpejtuar, do të na nevojiten më shumë se 400 euro, ndërkohë që nuk ka terminë të lirë për të nxjerrë pasaportën me procedurë të rregullt”, thotë Mile Jovanovski.
Ndërsa, Daria dhe Ilinka, që të dyja studente, thonë se nuk do të shkojnë askund, apo mbase ca ditë në Ohër sepse nuk kanë pasaportë.
“Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten si opsion pasi mund të udhëtohet atje me letërnjoftim”, thotë Daria.
Derisa Roza Dimitrievska thotë se do të shkojë te djali në Maltë dhe për këtë është kujdesur që në vitin e kaluar të pajiset me pasaportën e re.
“Do të shkoj në Maltë te djali, i cili tashmë disa vite jeton atje me familjen. Për të qenë afër tij, sapo filluan të jepen pasaportat me emrin e ri të shtetit, aplikova për ta marrë pasaportën e re ndryshe do të isha e bllokuar”, tregon Roza Dimitrievska.
Mungesa e pasaportave të reja: Sytë kah Shqipëria dhe Mali e Zi për pushime appeared first on Telegrafi.