I ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Wisner ka komentuar sulmet e fundit që kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka bërë ndaj kreut të SPAK Altin Dumani.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Wisner ka deklaruar se shqiptarët duan një të ardhme më të mirë dhe zyrtarët publikë që janë të përfshirë në korrupsion, të marrin dënimin e merituar.
Sulmet e Metës ndaj Dumanit janë shqetësuaes tha Wisner, teksa shtoi se qeveria e SHBA-ve po punon fort për një të ardhme më të mirë.
“Nëse kam parë një gjë në tetë muajt e kaluar, qoftë në veri të Shqipërisë, në jug të Shqipërisë, lindje, perëndim, ajo që vërtet i bashkon shqiptarët është se duan të shohin drejtësi. Duan të shohin nëpunës publikë që janë të përkushtuar ndaj asaj që duan shqiptarët dhe jo ndaj interesave private të veta. Kjo është boll e qartë për këdo, për shqiptarët e të gjitha krahëve, dhe mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme që të gjithë zyrtarët publikë të Shqipërisë ta mbajnë mirë parasysh këtë.
Është shqetësuese të shohësh ato lloj sulmesh që kemi parë. Nuk kanë vend këtu dhe, ç’është më e rëndësishme, shqiptarët nuk duan këtë. Shqiptarët duan që udhëheqësit e tyre publikë të punojnë për interesat e tyre për ta bërë të nesërmen më të mirë. Dhe mund t’ju them që pikërisht këtë synon të bëjë ambasada e SHBA dhe Qeveria e SHBA përkrah tyre”, tha ai./vizionplus.tv