Në Gjermani vitin e kaluar ka pasur një rritje të kriminalitetit me dhunë, ku numërohen akte penale të ndryshme seksualiteti, plagosjeje trupore dhe vjedhje. Numri i rasteve (rreth 214.000) është rritur sipas statistikës me 8,6 përqind krahasuar me vitin 2022. Ky është niveli më I lartë që nga viti 2007.
Edhe vjedhjet janë shtuar. Në kategorinë e vjedhjeve të vogla janë regjistruar rreth 1,97 milion raste, 10,7 përqind më shumë se në një vit më parë më 2022. Gjithashtu është shtuar numri i vjedhjeve në shtëpi me rreth 18 përqind.
Autoritetet kanë regjistruar gjithsej në mbarë federatën 5,941 milionë raste kriminaliteti. Kjo do të thotë një rritje me 5,5 përqind krahasuar me vitin 2022 dhe 9,3 përqind kundrejt vitit të 2019 përpara pandemisë së koronavirusit. Gjithsej në Gjermani janë regjistruar më shumë vepra penale si asnjëherë më parë që nga viti 2016.
Ministrja e Brendshme socialdemokrate, Nancy Faeser gjatë prezantimit të statistikës në Berlin tha, se ky zhvillim kërkon “ndërhyrjen e nevojshme dhe sipas mendimit tim të ashpër të shtetit të së drejtës” ashtu si edhe përforcimin e masave parandaluese. Por pavarësisht rritjes së numrit të veprave penale, Gjermania “vazhdon të jetë një nga vendet më të sigurta të botës”.
Numri i të pandehurve të huaj në rritje
Vitin e kaluar është rritur veçanërisht ndjeshëm kriminaliteti i të huajve. Numri i të pandehurve jo gjermanë është rritur me 17,8 përqind në rreth 923.000. Duke zbritur nga kjo kuotë, kundërvajtje të tilla si shkeljet ndaj ligjit të së drejtës së qendrimit, që ka të bëjë vetëm me të huajt, – rritja është me 13,5 përqind.