Integrimi në tregun e punës pas studimeve mbetet shqetësimi më i madh i të rinjve, në një kohë kur zhvillimet ekonomike dhe digjitale kanë shkaktuar një hendek mes aftësive dhe nevojave.
Zv.ministrja e Ekonomisë Olta Manjani në një intervistë për edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me Aleksandër Furxhiun deklaroi se qeveria ka rritur ndjeshëm vëmendjen ndaj arsimit profesional.
Ajo shtoi se shembujt që po ndiqen në vendin tonë janë më të mirat e BE, modele zvicerane dhe gjermane, teksa shtoi se po synohet që të rriten aplikimet për arsimin profesional.
Intervista e plotë:
Në gjendjen ku është tregu dhe kërkesat e tregut, çfarë ka ndërmend të bëjë qeveria për arsimin profesional?
Arsimi profesional shihet ngushtë me tregun e punës dhe kjo është arsyeja pse arsimi profesional është nën varësinë e Ministrisë së Ekonomisë. Kemi filluar një fushatë shumë të madhe ndërgjegjësimi në lidhje me arsimin profesional, pasi arsimi profesional është një përgjigje imediate ndaj nevojave që ka tregu për forcë punëtore të kualifikuar. Arsimi profesional është një investim minimal në kohë. Pra mund të shkojmë me programet 2,3 apo 4 vjeçare, ndërkohë që edhe qendrat e formimit profesional, të cilat ofrojnë kurse afatshkurtra me kurse 3,69 mujore apo 1 vjeçare për t’iu përgjigjur kërkesave imediate që ka tregu. Ndaj dhe vëmendja e qeverisë tani është tek arsimi profesional sepse është përgjigjja më e shpejtë që mund t’i japë sektorit publik bashkë me ofruesit në sektorin privat
Lidhja e tregut të punës me arsimin profesional është togfjalësh i dëgjuar, por a ka një model që ndjek Shqipëria në kushtet tona të tregut dhe qasjes së tij me arsimin?
Ky është një sektor që prej vitesh ka një prani të zgjeruar të qeverisë zvicerane e gjermane, të cilat janë modelet më të mira në Europë në lidhje me arsimin profesional. Ne duhet të bëjmë një punë të madhe të promovimit të arsimit profesional që të rrisim aplikimet. Në Europë 1 në 2 nxënës studiojnë në arsim profesional, ndërsa në Shqipëri jemi në kuotat e 20% dhe kemi synim të kemi 1 në 3 nxënës në arsimin profesional./vizionplus.tv