Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë në Pollog mund të hasim të fusha të këtilla, të pambjella e të lëna anash. E gjithë kjo sepse nuk ka leverdi, thonë bujqit të cilët dita ditës mendohen që të heqin dorë krejtësisht nga bujqësia.
Nagip Rushiti merrej me bujqësi rreth pesë dekada. Por vitin e fundit, ai hoqi dorë, për shkak të punës me humbje. Sipas tij 20 vitet e fundit janë më të zezat për bujqësinë, ndërsa akuzon shtetin se nuk ndihmon aspak.
“Kurrë nuk kemi qenë me keq se këta 20 vite. Kemi punuar jemi bërë idare por këta 20 vite vetëm jemi duke humbur. Ka mbet djali ai e shtyn edhe pak se tjerë për bujqësinë skam më. Unë jam hek krejt prej bujqësisë më e shtyj dita ditës. Shteti nuk ndihmon, nëse s’jep ryshfet s’ka. Kam konkurruar disa herë për makinat, po që se nuk i jep dikujt s’ka makinë. Patjetër të japish. Nipi im konkurroi mori makinën më shtrenjtë se me e ble i doli, këtij ryshfet atij ryshfet dhe nuk mbetet gjë s’mund t’ia dalësh. Janë bërë hajdutë të mëdhenj të pa ngirë. Kjo është absurde edhe në komunizëm nuk kemi qenë kaq të shtypur”, u shpreh Nagip Rushiti, bujk.
Bekim Reshiti nga Reçica e Vogël thotë se dikur nuk kishte arë pa mbjell, ndërsa tani me rritjen e shpenzimeve fushat mbetën të zbrazëta.
“Më parë nuk kishte arë që s’punohej, tash duket se punohen por krejt shkretë kanë mbet shkaku i harxhimeve të mëdha. S’kemi leverdi e lejmë më mirë pa mbjellë. Shteti duket kurse ndihmon, por, ndihmon me naftë vetëm sa për të shkuar te ara dhe të kthehesh, aq na ndihmon. Për punëtor është vështirë nuk ka, edhe ata pak që janë nuk ke leverdi t’i marrësh, dyzet dhe pesëdhjetë euro kërkojnë edhe atë me orar të caktuar me bukën tonë. Familjarisht jemi marrë vetëm me bujqësi por dalë ngadalë e shoh se nuk shkon, dua ta le krejt”, theksoi Bekim Reshiti, bujk.
Nga Njësia rajonale e ministrisë së Bujqësisë në Tetovë, informojnë se vitin e shkuar ka pasur afër 4.000 aplikime për masa për bujqit dhe blegtorët, ndërsa këtë vit ky numër ka shënuar rënie. Shkak për këtë sipas kësaj Njësie janë edhe kushtet klimatike, të cilat kanë ndikuar që, korrjet e grurit të ulen për rreth tridhjetë për qind./Alsat.mk
Shumë toka bujqësore të pambjella në Pollog appeared first on Telegrafi.