Dy civilë u vranë pas një sulmi ajror turk në rajonin malor Selandiz në Irakun Verior, thanë dy burime irakiane të sigurisë.
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se forcat e saj kryen dy sulme ajrore në Irakun verior dhe Sirinë veriore gjatë natës, duke vrarë gjashtë luftëtarë në Irak dhe shtatë në Siri. Postimi i tij në Platformën X nuk jep më shumë informacion.
Ministria nuk tha se cilat zona ishin në shënjestër të sulmeve dhe ishte e paqartë nëse ministria po i referohej të njëjtit incident në Irakun verior si burimet e sigurisë.
Turqia kryen rregullisht sulme ajrore dhe operacione ndërkufitare në Irakun fqinj si pjesë e ofensivës së saj kundër Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila është e bazuar kryesisht në rajonin malor të Irakut verior.
PKK , e cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, nisi një kryengritje të armatosur kundër shtetit turk në vitin 1984. Më shumë se 40,000 njerëz janë vrarë që atëherë.
Turqia ka nisur gjithashtu një seri sulmesh dhe fushatash ushtarake në veri të Sirisë kundër milicisë kurde siriane YPG, të cilën ajo e konsideron një degë të PKK./vizionplus.tv