Me rastin e 8 marsit, Ditës ndërkombëtare të Gruas, politika shqiptare ka uruar të gjitha gratë dhe vajzat.
Kryeparlametarja Lindita Nikolla në një postim në rr jetin social ka deklaruar se asnjë faktor a investim tjetër, as njerëzor dhe as teknologjik, nuk mund ta nxisë zhvillimin shoqëror më shumë sesa investimi te gratë dhe vajzat.
“Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, uroj nga zemra të gjitha nënat, motrat, bashkëshortet dhe vajzat shqiptare.
Këtë vit, tema e përzgjedhur për të kremtuar këtë ditë domethënëse është “Të investojmë te gratë, për të përshpejtuar progresin.”
Asnjë faktor a investim tjetër, as njerëzor dhe as teknologjik, nuk mund ta nxisë zhvillimin shoqëror më shumë sesa investimi te gratë dhe vajzat.
Këtë prag 8 Marsi, bashkë me gratë kryeparlamentare nga të pesë kontinentet, u mblodhëm në Paris në Samitin Botëror, themeluam Rrjetin e Grave Kryeparlamentare dhe miratuam Deklaratën për Barazinë dhe të Drejtat e Grave, në të cilën u bëmë thirrje parlamenteve të të gjitha vendeve të vendosin të drejtat e grave dhe barazinë gjinore në krye të agjendave parlamentare”, shkruan Nikolla.
Ndërsa PD, në një deklaratë për mediat ka thënë se 8 marsi është ditë proteste për gratë e vrara dhe nënat që fëmijët e tyre i kanë në emigrim. Kjo ditë sipas PD, duhet të jetë ditë proteste edhepër vajzat që nuk po marrin arsim cilësor apo edhe për gjyshet që nuk po u indeksohen pensionet, apo edhe për studentet e diplomuara që nuk po marrin vlerësimin e duhur.
“8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e gruas!
Një ditë feste por dhe proteste. Partia Demokratike është sot në krah të grave dhe vajzave, në çdo cep të Shqipërisë dhe në Diasporë, ku i ka detyruar qeverisja e Edi Ramës.
Sot është ditë feste dhe Gëzuar!
Por është edhe ditë proteste, për 19 gratë e vrara gjatë harkut kohor të një viti. Është ditë proteste, për nënat të cilave ua ka marrë emigrimi fëmijët, për vajzat që e kanë të pamundur arsimin cilësor. Për gjyshet me pensione të paindeksuara dhe barnat me çmime të papërballueshme. Për studentet që diplomohen dhe duhet ta dorëzojnë fatin e punësimit të tyre në duar patronazhistesh”, shkruan PD./vizionplus.tv