Pesë sindikatat e universiteteve publike në Maqedoni kërkojnë që të nënshkruajnë marrëveshje kolektive me qeverinë për rritjen e pagave të tyre.
“Në të vërtetë, nisma e nënshkrimit të Marrëveshjeve Kolektive ka filluar, gjegjësisht Propozim- teksti i Marrëveshjeve Kolektive prej të gjitha universiteteve publike është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut shumë më herët para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, prandaj si përfaqësues të sindikatave konsiderojmë se padrejtësisht dhe jo me fajin tonë të njëjtat nuk janë nënshkruar me themeluesin, Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Për këto shkaqe kërkojmë që më së voni deri më 08.03.2024 të kryhet procedura dhe të fillohet me nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive me secilin universitet në vete.
Njëkohësisht, theksojmë se me mosnënshkrimin e Marrëveshjeve Kolektive të punësuarit e universiteteve të tjera publike vihen në pozitë të pabarabartë në raport me të drejtën, në veçanti në fushën e pagave dhe përfitimeve. Për këtë konsiderojmë se padrejtësisht jemi diskriminuar.
I bëjmë thirrje Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në Republikën e Maqedonisë së Veriut që në mënyrë aktive të përfshihet në zgjidhjen e këtij problemi, sepse në këtë mënyrë shkelen themelet e vlerave thelbësore dhe parimet kushtetuese për barazi dhe mosdiskriminim të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e pesë univesiteteve publike.
Kërkojmë, theksojnë nga atje, në një kohë sa më të shkurtër të pranohemi në takim te kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ashtu që ta njoftojmë me gjendjen tonë.
“Përderisa kërkesat tona të ligjshme nuk respektohen, atëherë si sindikata të pesë universiteteve publike, do të detyrohemi të sillemi sipas parimeve të organizimit sindikalist, përmes ndërmarrjes së të gjitha mjeteve ligjore që kemi në dispozicion, duke e përfshirë në fund të fundit edhe protestën publike”, thuhet në komunikatë.
Në nënshkrimin e kësaj kërkese janë përfshirë sindikatat e universiteteve publike “Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza”, Universiteti i Shkencave Informatike dhe Teknologjike “Shën Apostol Pavle”-Ohër, Universiteti “Shën Kliment Ohridski”-Manastir, Universiteti “Goce Dellçev”- Shtip.
Kujtojmë se Ministria e Arsimit ka nënshkruar marrëveshje me Universitetin “Shën Kiril dhe Metodi” për rritjen e pagave për të punësuarit për 22%./Telegrafi/
Sindikatat e universiteteve publike në Maqedoni kërkojnë nënshkrimin e marrëveshjes kolektive appeared first on Telegrafi.