Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në një intervistë me gazetaren Frida Mavriqi, në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, foli lidhur me federatën opozitare, lëvizje e prezantuar së fundmi si një “kërcënim” për mazhorancën.
Partia Demokratike, Partia Republikane dhe partitë e tjera kanë krijuar gjithmonë koalicion. Çfarë sjell ndryshe këtë herë ky bashkim?
“Konteksti nën të cilin do të organizohet kjo federatë apo ky bashkim opozitar është shumë herë më i rëndë sesa në situatat e kaluara, për faktin e thjeshtë sepse tanimë jemi përballë një opozite të përçarë, kemi një qeverisje që kontrollon çdo aspekt të jetë, ka manipuluar procesin zgjedhor dhe tenton të manipulojë procesin zgjedhor. Jemi në një situatë të një largimi masiv të qytetarëve Shqiptarë nga Shqipëria, jemi përballë mos zbatimit të Kushtetutës dhe mungesës së funksionimit të pluralizmit në Kuvendin e Shqipërisë dhe po ashtu mungesës së dëshirës së PS për zbatimin e reformës zgjedhore”, tha ai.
Ju, Duka dhe Dule iniciuat këtë bashkim, por a jeni konsultuar me Lulzim Bashën?
“Sot nuk është mbyllur kjo federatë, sot ka filluar, patëm disa parti politike që e prezantuan para dy muajsh këtë iniciativë, sot kemi një format të mirë të kësaj marrëdhënie dhe vendimi ishte që është i hapur për çdo subjekt opozitar, i cili kërkon të bëjë një marrëdhënie të plotë e të qartë me opozitën, përpara se të bëjë me mazhorancën dhe është një marrëdhënie e hapur për të gjitha subjektet. Nuk ka subjekte që kanë kundërshtuar, ka subjekte që mendojnë ndryshe, por ajo që di unë nga sistemi politik dhe zgjedhor që janë në Shqipëri, është absolutisht e pamundur për t’u përballur me një situatë të tillë, me një regjim, me një kontroll të pushtetit pa u bashkuar opozita”, tha ai. “Mendoj që secili do të reflektojë në këtë proces. Basha është kontaktuar nga unë dhe Duka, i është dërguar platforma dhe nuk ka dhënë përgjigje për takimin e sotëm, shpresoj të ketë reflektim për këtë çështje, ashtu siç shpresoj për subjektet e tjera”, nënvizoi ai.
Protesta e 20 shkurtit është aksioni juaj i parë si federata e opozitës, çfarë synoni me këtë tubim?
“20 shkurti është nëj ditë shumë simbolike për historinë e Shqipërisë dhe është dita e përmbysjes së bustit të diktatorit nga ana e shoqërisë në përplasje me një regjim monist. Ky është një tubim jo vetëm për të rifreskuar kujtesën por për të sjellë në plan të parë atë që qytetarët duan”, thekson ai. “Opozita duhet të dalë patjetër në shesh krah qytetarëve. Është dita kur tregohet që një shoqëri demokratike nuk kontrollohet dhe nuk manipulohet nga një kastë e caktuar njerëzish”, shtoi ai.
Kjo federatë a përbën edhe formacionin me të cilin ju do të garoni në zgjedhjet parlamentare që janë pas një viti?
“Formacioni dhe organizimi elektoral normalisht që mund të kenë ndryshime. Mendoj që e rëndësishme është që të mblidhemi njëherë politikisht për të krijuar një raport besimi dhe mirëkuptimi me njëri-tjetrin dhe më pas besimi dhe mirëkuptimi me qytetarët dhe partnerët tanë, SHBA, BE dhe NATO dhe pastaj që do të shkojmë tek idea e një koalicioni elektoral”, theksoi ai./vizionplus.tv/