Fenomeni i drejtimit të automjeteve pa patent shoferi vazhdon të jetë prezent në rajonin e Tetovës dhe jo vetëm. Është shqetësues fakti se bëhet fjalë për persona të cilët ende pa marrë lejen, marrin guximin të jenë pjesë e komunikacionit duke shkaktuar edhe aksidente trafiku, por njëkohësisht edhe duke rrezikuar jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.
Ndërkaq, sikur të mos mjafton kjo, ka të tillë që janë pjesë e trafikut pa patente shoferi duke transportuar udhëtarë dhe mallra.
“Sipas stastistikave vitin e kaluar në rajonin e gjerë të Tetovës janë zbuluar dhe sanksionuar ligjërisht gjithsej 1671 persona të cilët kanë drejtuar automjete pa kaluar testin për patent shofer dhe patentë të vlefshme për drejtim, kryesisht vetura, por edhe automjete mallrash, si dhe automjete që marrin pjesë në transportin publik të udhëtarëve. Krahas kësaj, në periudhën në fjalë janë sanksionuar 288 drejtues fillestar, të cilët nuk kanë respektuar kufizimet ligjore të parashikuara për këtë kategori pjesmarrësish në komunikacion”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë. Nga policia njoftojnë se për të gjithë këta persona janë shqiptuar dënime.
“Për ata që kanë drejtuar pa patentë shofer, në pajtim me nenin 225 të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, u janë përgatitur gjoba me vlerë prej 250 euro në kundërvlerë në denarë, ndërsa 250 euro do të duhet t’i paguajnë pronarët e automjeteve që i kanë dhënë të drejtojnë automjetet edhe pse e dinin se nuk e kishin të kaluar provimin për patent shofer. Nga ana tjetër, shoferët fillestarë do të përballen me gjobë prej 200 euro në denarë, neni 277 i Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor”, njofton zëdhënësi Rexhepi.
Por, situata nuk është aspak e mirë edhe në muajin e parë të këtij viti, pasi që numri i përgjithshëm i personave të sanksionuar pa patentë shofer në Tetovë ishte 101, ndërsa shoferë fillestarë janë dënuar 18 persona. Gjendja pak më mirë është në rajonin e Gostivari.
“Në zonën e gjerë të Gostivarit, vitin e kaluar janë sanksionuar 558 persona pa patentë shofer, ndërsa në janar të këtij viti 29 persona. Vitin e kaluar janë sanksionuar edhe 103 drejtues fillestarë, ndërsa në janar të këtij viti 8.SPB-Tetovë apelon edhe njëherë tek pjesëmarrësit e rrugës që të mos ulen në timon pa e dhënë provimin e shoferit dhe pa marrë patentë, sepse përveç sanksioneve me të cilat do të përballen, ata në mënyrë më të drejtpërdrejtë vendosin në rrezik sigurinë e tyre dhe të shoferëve të tjerë në komunikacion. Kjo vlen veçanërisht për ata që kryejnë edhe transport publik të udhëtarëve me vetura, furgona, minibusë ose autobusë”, deklaroi zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi./Koha.mk/
Tetovë, transportojnë udhëtarë pa leje për vozitje appeared first on Telegrafi.