Asqeri Mandri, 34 vjeç u arrestua ditën e djeshme nga polica e Tiranës pas denoncimit të bashkëshortes së tij se e dhunonte dhe e kishte izoluar në shtëpi. Ai gjithashtu kishte vendosur kamera në pjesë të ndryshme të shtëpisë për ta monitoruar. Ky nuk është rasti i vetëm i zbuluar në Tiranë, pasi disa ditë më parë, Jetnor Zhaboli 35 vjeç kishte ngujuar në shtëpi familjarët e tij. Zhaboli kishte vendosur kamera edhe në tualetin e shtëpisë dhe bllokonte valët e celularit në mënyrë që familjarët e tij mos komunikonin me persona të tjerë.
Psikologia Renisa Beqiri, e ftuar në studion e “7pa5” në ekranin e Vizion Plus u shpreh se këto raste kanë ekzistuar edhe më parë, por tani po marrin rëndësi më të madhe mediatike.
Beqiri: Nëna (e Asqeriut) duhet të ndalonte dhunën në këtë rast, pak rëndësi ka se kush e kishte fajin. Duhet të ngrinte zërin dhe të thoshte “këtu ka një problem, këtu ka dhunë”. Nëse nëpërmjet diskutimit familjar nuk mund ta zgjidhë problemin, duhet të kërkojë ndihmë në institucionet kompetente. Ajo që është e dhimbshme është fenomeni, pse duhet të diskutojmë ende për dhunë dhe xhelozi. Nëse kemi një familje të shëndetshme do të rrisim fëmijë të shëndetshëm. Por nëse kemi stres dhe dhunë në familje, ata fëmijë do të jenë të traumatizuar dhe mundësitë që kur të rriten të jenë dhunues janë shumë herë më të larta.
Psikologia tha se nuk është tabu që personat të cilët përballen me probleme të shëndetit mendor të kërkojnë ndihmë te psikologu apo institucionet kompetente.
Beqiri: Shenjat e agresivitetit janë shumë të larta. Shqiptarët kanë dalë të dytët në renditje gjatë studimeve që janë bërë në Ballkan. Ne e kemi bërë agresionin normë duke qenë se e shohim te të gjithë. Nuk duhet të ngremë zërin duke cenuar hapësirën e personit tjetër.
Ditën e djeshme, bashkëshortja e Mandrit tha se ky i fundit e kishte dhunuar dhe nuk e lejonte të shkonte në punë sepse ishte xheloz. Por ajo e ndërroi deklaratën e saj dhe tha se ishte një moment tensioni dhe se nuk ishte dhunuar. Psikologia tha se duhen studiuar të gjitha rrethanat në të cilat ndodh një ngjarje e tillë.
Beqiri: Në momentin që rastet bëhen mediatike ne shikojmë ujkun jo gjurmët. Pra ne shikojmë rastin por jo backgroundin si është zhvilluar rasti. Nëse kemi të bëjmë me një individ që është i rrethuar nga një mjedis i dhunshëm do t’i thonë “edhe unë rrihem, nuk është se zgjidhe gjë që e kallëzove”. Nëse është rritur në këtë mjedis do ta shikojë si diçka që e bëjnë të gjithë dhe do t’i duket normale. Në shoqërinë shqiptare ne e kemi kulturë që vuajtjen mos e ndajmë sepse mendojmë që kjo vuajtje do të merret për dobësi.
Beqiri i bëri thirrje qytetarëve që të kujdesen për shëndetin e tyre mendor dhe të kërkojnë ndihmë. Gjithashtu theksoi se në kushtet kur një person, i cili përballet me këto probleme nuk e kupton, duhet të ndërhyjnë familjarët dhe t’i ofrojnë ndihmë.
Beqiri: Në kërtë rast kemi të bëjmë me simptoma të paranojës. Kur kemi të bëjmë me problem të shëndetit mendor jo çdo individ është i vetëdijshëm për atë që bën. Duhet të jenë familjarët ata që duhet të ngrenë zërin për atë që po ndodh sepse zotëria mbase nuk mund të jetë i vetëdijshëm që po përballet me problem të shëndetit mendor. Individit i duket normale sepse mësohet me to. Duhet të jenë persona të tjerë ata që ndërhyjnë. Kemi të bëjmë me xhelozi patologjike, frikëra të këtij individi, paranoja. Kemi të bëjmë me një rast që duhet të bëhet një vlerësim psikologjik dhe psikiatrik. Këtu vjen shumë në ndihmë puna e psikologut në komunitet. /vizionplus.tv