Valltarja e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore Liljana Cingu ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar miku i saj valltari Genc Kastrati, i cili përmes një postimi në rrjetin social ka shprehur dhimbje për humbjen e koleges së tij, teksa shton se performancat e saj do të mbeten në kujtimet tona si momente të paharruara dhe si një dëshmi e qartë e dashurisë së saj ndaj artit.
“Me zemrën e mbushur me trishtim dhe respekt, e shkruaj këtë status për të shprehur ndjenjat e mia për humbjen e një figure të shquar të artit dhe kulturës shqiptare, “Mjeshteren e Madhe”, “Nderin e Kombit”, znj. Lili Cingu. Ajo ishte shembulli më i mirë i artit dhe bukurisë shpirtërore që mund të sjellë një artist. Përmes performancave të saj me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ajo jo vetëm që magjepsi audiencën, por edhe u mësoi brezave të ardhshëm rëndësinë e trashëgimisë kulturore.
Performancat e saj do të mbeten në kujtimet tona si momente të paharruara dhe si një dëshmi e qartë e dashurisë së saj ndaj artit”, shkruan ndër të tjera Genc Kastrati.
Liljana Cingu është vlerësuar në vitin 2018 “Nderi i Kombit” nga presidenti i asaj kohe Ilir Meta /vizionplus.tv