‘Si shteti i vetëm ushtarakisht neutral në rajon, i cili askënd nuk e kërcënon, e të cilit ia kanë cenuar integritetin territorial, duhet të jemi plotësisht të gatshëm. Me këtë çfarë po bëjmë, ne po e ruajmë vendin, dhe po e zbrapsim çdo agresor eventual. Në rrethanat e tanishme, nëse nuk keni ushtrinë mjaftueshëm të fortë, nuk do ta keni as shtetin, e ne jemi të gatshëm gjithmonë ta vruajmë shtetin tonë…’.
Kështu foli më 30 janar, Aleksandar Vuçiq, Presidenti i Serbisë pas një tjetër vizite një kazerme ushtarake në Beograd, ku parakaloi pranë llojeve të shumta të armatimit që i ka Ushtria e Serbisë.
Nuk është hera e parë dhe as e fundit që Vuçiq shfaqet me armatimin që ka Serbia. Në të vërtetë, nuk kalon muaji, në mos edhe më shpesh, nga paraqitjet e kësisojta të Presidentit serb, i cili po furnizohet me armë nga të katër anët e Botës, përfshirë këtu Rusinë dhe Kinën.
Nuk ka fjalë që i gjithë ky show i shërben liderit serb i shërben atij për ta forcuar pozicionin e tij goxha të lëkundur në Serbi, sepse dihet që marrëdhëniet e tij me Perëndimin janë mëdyshur si asnjëherë më parë për shkak të mënyrës se si ky i ’menaxhoi’ zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në dhjetor të vitit që shkoi. Rasti i Banjkës në Veriun e Kosovës, pastaj, konfirmoi që Serbia e Vuçiqit është kërcënimi i madh për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, teksa në Bosnjë dhe Hercegovinë, vartësi i tij, Milorad Dodik, Presidenti i Republika Srpska-s (entitetit serb), e ka në përshkrim të detyrës dhe mandatit të tij shkatërrimin e shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, gjegjësisht bashkimin e Republika Srpska-s me Serbinë.
Ai pra që realisht, me politikën e tij është sprova kryesore për një qëndrueshmëri afatgjatë të Ballkanit Perëndimor, synim ky kryesor i SHBA-së dhe i Bashkimit Evropian, e ka sosë të armatoset deri në dhëmbë, duke pasur si justifikim faktin që Serbia është shteti i vetëm ushtarakisht neutral në këto anë të Evropës dhe që kjo është mënyra e vetme, sipas tij, për ta ruajtur shtetin e Serbisë.
Pyetja që këtu do të mund t’i parashtrohej Presidentin të Serbisë është kjo: ’Kush mund të jetë sipas jush agresori që do të mund të ju sulmonte?
Serbia e Vuçiqit nuk është cak i asnjë shteti në rajon, besa as në Bashkimin Evropian.
Të gjitha shtetet fqinje të Serbisë, me përjashtim të Bosnjës dhe Hercegovinës, janë tash e sa kohë anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, ose, si në rastin e Kosovës, Pakti NATO është pjesë përbërëse e Kosovës që nga viti 1999, apo, është autoriteti suprem i garantimit të paqes dhe të sigurisë këndejpari.
Aleanca Veri-Atlantike e ka shpëtuar Kosovën dhe popullin e saj në vitin 1999, në një luftë të drejtë kundër një shteti (Serbisë), që synonte ta shfaroste popullin shqiptar në Kosovë.
NATO, i cili ka rrethuar pothuaj në të katër anët Serbinë, nuk ka kurfarë pretendimi ushtarak ndaj Serbisë, megjithëse këtu duhet shtuar që Serbia është qëmoti, që nga viti 2006, pjesë përbërëse e ’Partneritetit për Paqe’, që shërben si një ’paradhomë’ (nëse mund të thuhet ashtu) për inkuadrim në NATO.
Pasiqë thuaja të gjithë fqinjtë e Serbisë janë pjesë e Paktit NATO, ata nuk mund të kërcënojnë dhe cenojnë Serbinë, sepse në çështjet e sigurisë dhe paqes, këto shtete funksionojnë si një tërësi, si një trup i vetëm, i quajtur NATO.
Pastaj, edhe me një armatim dhjetëfish apo edhe qindfish më të madh se sa që ka sot, Serbia nuk mund dot të mbrohet në një konlikt të përmasave të mëdha me një shtet perëndimor, e lëre më me NATO-n.
Po rendi i një konflikti të tillë nuk është dhe as që mund të jetë.
Perëndimi, SHBA-ja dhe BE-ja natyrisht duan që Serbia ta bëjë zgjedhjen finale, përmes Presidentit Vuçiq, dhe të orientohet kah Perëndimi. Por ky do të jetë vendim plotësisht i pavarur i vet Beogradit zyrtar. Diçka e tillë nuk mund t’i imponohet udhëheqësve të tanishëm të Serbisë.
Perëndimi ka mundur dhe ka bërë mirë që e ka shpëtuar Kosovën nga Serbia. Por, Perëndimi nuk mundet ta shpëtojë Serbinë prej politikanëve dhe liderëve serbë. Kjo është punë për vetë serbët.
E këtu, as Vuçiqit dhe askujt nuk mund t’i ndihmojnë armët e të gjitha kalibrave të mundshëm. Apo jo.
Kush është kërcënim për Serbinë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.