E lindur në mes të luftës në Gaza, foshnja një muajshe e cila qëndron në inkubator, nuk e ka njohur kurrë përqafimin e prindërve. E vogla u lind me prerje cezariane pasi nëna e saj Hana, u godit nga një sulmi ajror izraelit dhe nuk mundi t’i shpëtonte dot plagëve të rënda, e madje as mundi t’i jepte një emër vajzës së saj.
“Ne thjesht e quajmë atë vajza e Hanna Abu Amsha”, thotë infermierja, e cila po kujdeset për të porsalindurën në një spital në Gazën Qendrore.
Sipas BBC, nga kaosi që kanë shkaktuar luftimet e vazhdueshme dhe me familje të tëra pothuajse të shuara, mjekët dhe ekipet e shpëtimit shpesh luftojnë për të gjetur kujdestarë për fëmijët që kanë mbetur pa prindër, raporton Living.
“Kemi humbur kontaktet me familjen e saj. Asnjë nga të afërmit e saj nuk është paraqitur dhe ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me babain e saj”, thotë infermierja për të porsalindurën.
Fëmijëve, të cilët përbëjnë gati gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh në Gaza, u është shkatërruar jeta nga lufta. Sipas zyrtarëve palestinezë, janë vrarë më shumë se 11,500 fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe mijëra kanë marrë plagë të rënda si pasojë e luftës.
Gjithashtu sipas një raporti të fundit nga “Euro-Mediterranean Human Rights Monitor”, më shumë se 24,000 fëmijë në Gaza kanë humbur njërin ose të dy prindërit.