Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur një fushatë informuese në të gjithë vendin për barazinë gjinore, të drejtat e grave në fushën e punësimit, vendin e punës, mosdiskriminimin në vendin e punës, leja prindërore dhe aksesi i tyre në të drejtat.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka lancuar nisjen e fushatës në Shkodër me temë, “Fuqizimi i grave dhe vajzave përmes rritjes së aksesit në të drejtat ekonomike, ligjore dhe sociale” ku merrnin pjesë ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, zv.ambasadori i Francës në Shqipëri, Samuel Richard si dhe përfaqësues të pushtetit lokal në Shkodër.
Koçiu nënvizoi se “një grua e fortë ekonomikisht apo një grua që ka mundësi të sigurojë vetë ekzigjencat e përditshme është një aktor kryesor në shoqëri e cila më pas i ka dyert e hapur për të pasur më shumë akses ndaj të drejtave të saj”.
Ministrja Koçiu solli në vëmendje një sërë iniciativash të ndërmarra nga qeveria dhe MSHMS për të fuqizuar ekonomikisht grate.
“Kemi trefishuar ndihmën ekonomike për gratë dhe vajzat e dhunuara dhe të abuzuara. Kemi dyfishuar ndihmën ekonomike për gratë kryefamiljare me dy ose më shumë fëmijë. Sikundër dhe kemi dyfishuar ndihmën ekonomike për ato familje që kanë mbi 3 fëmijë dhe padiskutim një incentivë e viteve të fundit është edhe pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për gratë e papuna me tre apo më shumë fëmijë”, deklaroi Koçiu.
Ministrja Spiropali u shpreh se “ne jemi shumë krenar që sa i takon barazisë gjinore në përfaqësim në qeveri, ne jemi sot numri një. Të gjithë së bashku mundemi në bashkëpunim me autoritetet që këto të drejta të jenë të pacënuara në çdo lloj ambienti, përfshirë edhe në punë. Kuvendi ka marrë një rol të ri sa i takon procesit të integrimit evropian dhe ndryshmi i legjislacionit që të jetë i përafruar me legjislacionin e BE-së, është një detyrë”.
Gjatë bashkëbisedimit u diskutua për diskriminimin gjinor në vendin e punës, aksesi në ndihmën juridike falas për gratë dhe vajzat, monitorimi i zbatimit të legjislacionit dhe praktikës ligjore në mjedisin e punës si dhe mundësitë dhe aksesi për gratë dhe vajzat në tregun e punës.
Përmes informimit dhe fushatës ndërgjegjësuese për barazinë gjinore që organizohet në bashkëpunim edhe me Expertise France, programi i asistencës teknike që mbështet Qeverinë Shqiptare, për të adresuar barazinë gjinore në qasjen në mundësitë ekonomike, synohet që të rritet ndërgjegjësimi dhe mundësia për informim e grave dhe komunitetit e familjeve në përgjithësi për të drejtat e grave.