Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska, dje prezantoi një përmbledhje të rëndësishme në panelin “Investime në infrastrukturë dhe në kulturë – investim i përhershëm për gjeneratat e ardhshme” në kuadër të konferencës dyditore “Viti i Mundësive Evropiane”. Ajo bëri të ditur se Qeveria dhe Ministria e Kulturës janë të përkushtuar për zhvillimin e balancuar kulturor të pushteteve lokale, duke investuar në subvencione kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale.
“Subvencionet kapitale për komunat janë zë që u aktualizua nga viti i kaluar dhe që deri më tani nuk ka qenë më shumë se një milion denarë. E rëndësishme është fakti se vitin e kaluar janë ndarë 40 milionë denarë për subvencione kapitale. Ne kemi investuar në komunat Kratovë, Valandovë, Krivogastan, në Dellçevë, komuna në të cilat, siç kanë thënë vetë kryetarët, asnjëherë nuk ka pasur subvencione kapitale. Sivjet, 2024, ai zë kap vlerën prej 50 milionë denarë, dhe synimi është që çdo vit pasues të jetë sa më shumë”, theksoi Kostadinovska Stojçevska.
Në lidhje me investimet në infrastrukturë kulturore, ministrja ndau se në dy vitet e fundit janë investuar 900 milionë denarë për rindërtimin dhe rehabilitimin e objekteve ekzistuese të institucioneve kombëtare. Ajo theksoi projektet aktuale si rindërtimi i teatrit dhe bibliotekës në Tetovë, të Teatrit Turk, si dhe projektet e tjera që janë në plan.
Kostadinovska-Stojçevska po ashtu vuri në dukje rritjen e pagave për punonjësit e sektorit të kulturës me 43%, një fakt që shënon një përparim në këtë fushë.
Konferenca “Viti i Mundësive Evropiane” u organizua nga Qeveria së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe mori pjesë panelistë si ministri i Transportit dhe Lidhjeve, drejtori i Administratës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, një profesor nga Instituti i Gjuhës Maqedonase “Krste Misirkov”, si dhe drejtorë të tjerë të sektorëve të ndryshëm. Kjo konferencë shënoi një angazhim të vazhdueshëm për të promovuar investimet në kulturë dhe infrastrukturë për të përparuar shoqërinë dhe ruajtur trashëgiminë kulturore të vendit. /Telergafi/
Kostadinovska-Stojçevska: 90 milionë denarë përkrahje për infrastrukturën e kulturës nëpër komuna appeared first on Telegrafi.