
Dje u entuziazmova me jehonën masive që pati ardhja, qoftë edhe për disa orë, e presidentit Hashim Thaçi në Prishtinë. Vetëm mund ta imagjinoj ekzaltimin dhe shpresën që do të sjellë në Kosovë kthimi përfundimtar i tij, i Kadri Veselit, i Jakup Krasniqit, i Rexhep Selimit dhe i gjithë bashkëluftëtarëve të tjerë të pafajshëm.
Dje me kënaqësi vura re një kthesë të fortë tek ata që shprehën simpati e mbështetje për liderin e UÇK-së, ndërkohë që vetëm disa vite më parë kishin ndërmarrë një fushatë të ashpër e sistematike të përbaltjes dhe delegjitimimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtarëve të saj dhe liderëve që e udhëhoqën. Shpresoj që kjo të jetë një pendesë e sinqertë dhe jo thjesht moda e radhës, ashtu siç dikur u bë modë denigrimi i të gjithë atyre që kishin lidhje me luftën çlirimtare. Pra, uroj sinqerisht që ky të mos jetë thjesht një ndryshim momental, por një korrigjim që çon drejt bashkimit për të mbrojtur dinjitetin e luftës sonë çlirimtare.
Ajo fushatë mund të ketë pasur motive të ndryshme: hatërmbetje personale, interesa të ngushta materiale, kalkulime meskine partiake, frustrimin e zilisë ndaj veprës së luftëtarëve apo edhe ndonjë sponsorizim për dezinformim në kuadër të luftës hibride ruso-serbe. Cilado qofshin shkaqet, tani është momenti për reflektim dhe për të riparuar dëmin e madh që u bë me njollosjen e kapitullit më të rëndësishëm të historisë bashkëkohore të kombit tonë – luftës çlirimtare.
Kjo duhet të shërbejë si një leksion i qartë: figurat historike si Thaçi nuk janë individë të rastësishëm, por, për shkak të rolit iniciator e protagonist në momente kyçe, janë tashmë simbole me domethënie kombëtare. Prandaj, trajtimi i tyre nuk mund të jetë i kushtëzuar nga interesa të ngushta partiake apo personale. Asokohe shkrova një shkrim pikërisht për atë histeri kolektive kundër presidentit Thaçi.
Me këtë rast, vlen të ritheksohet, se lufta çlirimtare nuk është thjesht një episod i së kaluarës, por themeli mbi të cilin qëndron shteti i Kosovës sot e mot. Për ata që u bënë pjesë e këtij denigrimi, me apo pa vetëdije, është koha për reflektim dhe për të riparuar dëmin e bërë. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet e deformohet sipas interesave e pazareve të çastit. Ajo duhet të ruhet, mbrohet dhe të shërbejë si frymëzim për brezat e ardhshëm që do të vazhdojnë rrugën e shtetndërtimit dhe integrimit të plotë ndërkombëtar të Kosovës.
Reflektimi është një shenjë e pjekurisë kombëtare por edhe doemosdoshmëri e kohës. Nuk është turp të kesh menduar ndryshe në të kaluarën, por është e pafalshme të refuzosh të pranosh të vërtetën sot. Kosova ka nevojë për një shoqëri që mbështet një narrativë të unifikuar historike, që nuk e saboton të kaluarën e lavdishme të luftës sonë çlirimtare dhe që punon për një të ardhme më të fortë dhe më të sigurt.
Thaçi dhe nevoja e Kosovës për një narrativë të unifikuar historike / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.