
Portieri dhe kapiteni i Barcelonës, Marc-André ter Stegen, ka njoftuar në rrjetet sociale se po ndahet nga partnerja e tij, Daniela ter Stegen (Jehle), pas më shumë se një dekade së bashku. 32-vjeçari ka dy fëmijë me bashkëshorten e tij, me të cilën ishte i martuar prej shtatë vitesh.
Ter Stegen iu bashkua Barcelonës në moshën 21-vjeçare nga Borussia Mönchengladbach në vitin 2014, duke ardhur nga Gjermania së bashku me Jehle. Çifti u vendos në lagjen e njohur Gràcia, ku shpesh mund të shiheshin nga banorët duke bërë pazar apo duke bërë xhiro me biçikletë, duke jetuar një jetë relativisht normale.
Jehle dhe ter Stegen u martuan në vitin 2017 në Sitges dhe dy vite më vonë, në vitin 2019, u bënë prindër për herë të parë me lindjen e djalit të tyre, Ben. Më shumë se një vit më parë, në familjen e tyre erdhi në jetë edhe fëmija i dytë, Tom.
Megjithatë, ter Stegen ka publikuar një mesazh në Instagram në anglisht dhe spanjisht, ku njoftoi ndarjen e tyre pas më shumë se dhjetë vitesh së bashku dhe kërkoi privatësi gjatë kësaj periudhe të ndryshimeve.
Deklarata e ter Stegen:
“Përshëndetje të gjithëve, Pas një reflektimi të kujdesshëm, Dani dhe unë kemi vendosur të ndjekim rrugë të ndara. Siç mund ta imagjinoni, ky nuk ka qenë një vendim i lehtë, por besojmë se është hapi më i mirë për të dy ne.
Fokusi ynë i përbashkët është të bëjmë më të mirën për fëmijët tanë, duke siguruar që ata të vazhdojnë të kenë një mjedis të dashur dhe të qëndrueshëm. Ne mbetemi të përkushtuar për të punuar së bashku si prindër dhe për të trajtuar njëri-tjetrin me respekt dhe mirënjohje, ashtu si kemi bërë gjithmonë.
Në këtë periudhë personale, ju lutemi kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe respektimin e privatësisë sonë – veçanërisht asaj të fëmijëve tanë. Faleminderit. Me mirënjohje, Dani & Marc.”
Ndërkohë, Ter Stegen ka kaluar gjashtë muajt e fundit duke u rikuperuar nga një dëmtim serioz në gju, të cilin e pësoi në shtator. Ka optimizëm se ai mund të rikthehet në fushë para fundit të sezonit, dhe në fund të këtij muaji pritet të bëhet e qartë nëse do të mund ta bëjë këtë. Në atë rast, trajneri Hansi Flick do të duhet të marrë një vendim, pasi Wojciech Szczesny po paraqitet mirë mes shtyllave.
Kapiteni i Barcelonës ndahet nga gruaja / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.