Xhoanatan Pajo 26 vjeç është shqiptari që në bashkëpunim me persona të tjerë kanë kryer 3 vrasje dhe 3 tentativa vrasje si dhe 1 rast shpërthimi eksplozivi. Policia greke ende nuk ka dalë në deklaratë zyrtare për shtyp, por sipas mediave greke bëhet fjalë për vrasjen e mafiozit të njohur grek Janis Skaftourou në prill 2022 dhe Vasilis Roumpetis e Dionisis Mouzakitis në qershor 2023. Tre tentativat e vrasjes janë ndaj një gjeorgjian në verën e 2023 dhe ndaj dy të afërmve të Skaftourou gjatë vrasjes së tij.
Po ashtu, ai ka marrë pjesë edhe në një shpërthim me eksploziv, që ka ndodhur në karburantin e djalit të Skaftourou.
Emri i tij ka dalë i implikuar në ngjarje kriminale dhe rezulton bashkëpunëtor i shtetasve nga Armenia, Gjeorgjia apo edhe nga Rusia. Disa kohë më parë, në rrugë zyrtare është njoftuar për veprimtarinë e tij edhe policia shqiptare e cila ka kryer kontroll në banesën e tij në Dimal.
26-vjeçari shqiptar është arrestuar fillimisht në tetor 2023 në pikën e kalimit kufitar të Sukobin në Mal të Zi ose ndryshe pika doganore e Muriqanit, duke tentuar të hyjë në Shqipëri. Policia malazeze dyshonte se ai do të bashkëpunonte me shtetasi armen Mnatsakanyan Artyom, 34 vjec, për vrasjen e një anëtari të një klani kriminal në Budva.
Gjatë kontrollit të automjetit ku u kap armeni dhe ku më parë ndodhej dhe Pajo, u gjetën dy pistoleta “Glock” me kornizë të plotë, si dhe një pistoletë automatike “Scorpion” me silenciator, dy maska silikoni si dhe disa palë doreza dhe rroba për ndërrim. Pajo ishte larguar nga mjeti por u kap në kufi. Gjatë arrestimit të tij, ai është paraqitur në mënyrë të rreme si P.V. dhe ka dorëzuar një dokument udhëtimi fals të Republikës së Greqisë. Pajo ka tentuar të kalojë kufirin me Malin e Zi si këmbësor dhe gjatë kontrollit policia kufitare i ka konfiskuar një mjet të posaçëm për zhbllokimin e automjeteve, 4350 euro e 500 dollarë, patentë shoferi të falsifikuar dhe një kartë bankare si dhe sende të tjera.
Policia e Budvës lokalizoi një banesë në vendbanimin Buljarica, e cila shfrytëzohej nga të dyshuarit, duke gjetur sende të cilat po i nënshtrohen ekspertizës. Gjithashtu “u gjetën automjete dhe një motoçikletë, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë përgatitjes së kryerjes së krimit”, tha policia në atë kohë. Policia lokalizoi dhe hotelet në Podgoricë ku kanë qëndruar personat e dyshuar./vizionplus.tv