Inteligjenca artificiale mund t’i identifikojë gratë që janë të rrezikuara nga kanceri në gji, disa vjet para se të diagnostikohen, ka thënë Instituti Norvegjez i Shëndetit Publik të martën.
Pesë hulumtuesve të këtij Instituti, Universitetit të Kalifornisë dhe Universitetit të Uashingtonit, u është dhënë qasje në programin komercial të inteligjencës artificiale, i cili në mënyrë retroaktive ka analizuar mamografitë e 116.495 grave që kanë marrë pjesë në programin norvegjez në periudhën 2004 – 2018.
Në total, 1.607 e grave janë përballur më vonë kancer në gji.
Algoritmi ka arritur të verifikojë se cilat gra kanë pasur rrezik më të madh të zhvillimit të kancerit në gji, madje edhe se cili prej gjinjve ka qenë më i rrezikuar, katër deri në gjashtë vjet para diagnostikimit.
“Ne e kemi vërejtur se gjiri që ka zhvilluar kancer, ka pasur pikë në sistem dyfish më shumë, sesa gjiri tjetër”, ka thënë Solveig Hofvind, gruaja që udhëheq programin për detektim të kancerit në gji përmes programit me inteligjencë artificiale.
“Studimi tregon se algoritmet që tashmë janë të qasshme në treg mund të përdoren për të zhvilluar programe detektimi edhe më të personalizuara”, ka thënë ajo.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 670.000 gra kanë vdekur nga kanceri në gji më 2022.
Kjo, njëherësh, është forma më e shpeshtë e kancerit që zhvillohet te gratë.
Ky studim është publikuar edhe në revistën e Rrjetit të Shoqatës Mjekësore Amerikane, ndër revistat më me nam në botë./REL
Inteligjenca artificiale mund t’i identifikojë gratë që rrezikohen nga kanceri në gji / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.