Tre shqiptarë të cilët u gjetën në një fermë kanabisi janë burgosur.
Sipas medieve të huaja, ata ndodheshin të fshehur në papafingo kur policia bastisi ndërtesën.
Alberto Loka, Riza Manuka dhe Besard Muça, sapo kishin nisur krijimin e shtëpisë së barit kur policia zhvilloi operacionin në pronën në Darlington.
Të tre u arrestuan në vendngjarje dhe policia gjeti 51 rrënjë kanabis në një dhomë dhe pajisje që shërbenin për rritjen e tyre.
Në shtëpi u zbulua edhe një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Gjykata tha se bimët e gjetura kishin një vlerë prej 510 £, por pasi të piqeshin, ishin në gjendje të prodhonin kanabis me një vlerë prej 26,000 £.
Policia gjeti tre telefona celularë, por nuk mundi të hynte në iPhone-in e Lokës pasi ishte i mbrojtur me fjalëkalim. Dy celularët e tjerë treguan telefonata të rregullta mes Manukës dhe Muçës.
Të tre shqiptarët u deklaruan fajtorë për përfshirje në kultivimin e kanabisit dhe u dënuan me nga 12 muaj burg secili./vizionplus.tv