Moderatori kosovar, Meriton Mjekiqi ka përgënjeshtruar pretendimet e Demë Elshanit se Alban Dezdari e ka detyruar t’i paguaj haraç 50 mijë Euro.
I arratisuri që 22 vite nga Kosova, Demë Elshani, në një deklaratë ekskluzive dhënë për gazetën online Reporteri.net, duke larguar përgjegjësinë nga vetja për sulmin e sotëm me granat dore në pronën e familjes Dezdari në Pejë, “gishtin e drejtoi” kah Meriton Mjekiqi.
“A e ngjen [Meriton Mjekiqin] të Big Brother? 50 mijë Euro, ja ka qitë reket”, pretendoi Demë Elshani të enjten në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net, e cila e plotë, audio, do të publikohet të premten.
Demë Elshani lajmërohet pas 22 vitesh në arrati: “As unë, as nipi im nuk sulmuam familjen Dezdari – shpërthimin mund ta ketë kryer Meriton Mjekiqi, shkaku i reketit”
“[…] Meriton Mjekiqi ja ka kry sigurisht, se Meriton Mjekiqit i ka qit reket. Ai munet se njeri kur t’i qitish reket ta bon”, tha Elshani.
Disa orë pas publikimit të deklaratës së Elshanit, ish-finalisiti i “Big Brother VIP Albania” ka reaguar përmes një “story” në Instagram.
Krejt pretendimin e Demë Elshanit e ka quajtur “rrenë”.
“Lajmet e rrena ndaj meje janë bërë të përditshme dhe po më shqetësojnë mua, familjen time dhe miqtë e mi të afërt. Unë nuk kam te bëj asgjë me lajmin qe po qarkullon dhe nuk jam i përfshirë në asnjë veprim te pistë, sepse nuk jam unë ai”, shkroi Mjekiqi.
“As nuk kam dhënë reket (mu rekët në Kosovë JOJO) e as nuk kam gjujt Bume. Alban Dizdarin e njoh prej miqve të mi të afërt dhe nuk kemi asnjë lloj keqkuptimi. Portale, mjaft më me lajme për klikime”, përfundoi Mjekiqi postimin të cilin e shoqëroi me një foto ku shihet ai krah të dënuarit për vrasje Alban Dezdarit dhe një personit të tretë.
Adem Elshani, i njohur si Demë Elshani – 50 vjeçar nga Ozdrimi i Pejës, është arratisur nga Kosova qysh prej vitit 2003, dhe kërkohet nga Policia e Kosovës për dy vrasje e 3 tjera të mbetura në tentativë. Dema, ndaj të cilit qysh në vitin 2017 ka edhe fletëarrest ndërkombëtar aktiv është lajmëruar të enjten në format e kontaktit të gazetës Reporteri.net dhe ka folur ekskluzivisht për mediumin, për herë të parë 22 vite pas “zhdukjes” së tij nga vendi.
Shpërthimi në Pejë, cak biznesi i familjes së Alban Dezdarit: “Kjo është nga Demë Elshani”
Meriton Mjekiqi i kundërpërgjigjet Demë Elshanit, publikon foto krah Alban Dezdarit: “Nuk kam gjujt bume” / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.