Shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, kanë votuar me postë këtë të enjte për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ndërsa ata që duan të votojnë fizikisht do të mund ti drejtohen përfaqësive diplomatike të Kosovës në 22 vende të botës në datën 8 shkurt, pra një ditë para zgjedhjeve të përgjithshme.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbi 85 mijë emigrant kanë zgjedhur votimin me postë ditën e sotme.
Por, për të diskutuar më shumë për zhvillimet në Kosovë, në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me Roland Zilin, ishte analistja Alma Lama.
Lama tha se për zgjedhjet e 9 shkurtit janë angazhuar edhe partitë e tjera për të marrë votën e diasporës.
Analistja theksoi se deklarata e kryeministrit Kurti, se këtë herë do të marrë mbi gjysmë milioni vota, është një strategji zgjedhore.
Intervista e plotë:
Ndërsa sot nisi votimi i diasporës, çfarë peshe mund të thuhet se kanë emigrantët në raport me zgjedhjet e 9 shkurtit?
Lama: Do të ketë një peshë të rëndësishme. Në këto zgjedhje, edhe partitë e tjera janë angazhuar për të marrë votën e diasporës. Ka pasur shumë takime parazgjedhore nga partitë e tjera dhe nga LVV për të angazhuar dhe për të votuar emigrantët. Në bazë të ligjit të ri, emigrantët do të kenë mundësi të votojnë edhe në disa ambasada, normalisht në një numër të kufizuar, por ata e kanë edhe këtë mundësi, përveç votimit me postë.
Kryeministri Kurti, njëherësh lider i Vetëvendosjes, tha se këtë herë do të marrë mbi gjysmë milioni vota. Sa real është ky synim i tij?
Lama: Nuk besoj se është real, dëshira mbetet. Më shumë është një strategji zgjedhore për të mbledhur vota. Ai e ka pasur shumicën edhe në këtë mandat, por nuk ka arritur të realizojë premtimet. Nuk ka shpalosur asnjë program ose premtim konkret, dhe nuk dihet nëse do ta bëjë këtë gjatë fushatës elektorale. LVV ka vendosur të bojkotojë edhe shumicën e mediave. Problemi është që në këtë mandat nuk kanë pasur një performancë të mirë, por do të mbetet për t’u parë më 9 shkurt nga vlerësimi i votuesve.
Si janë organizuar partitë opozitare për të mundësuar kthimin në pushtet?
Lama: Kanë një strategji të ndryshme nga ajo e kaluar dhe nga të gjitha ciklet zgjedhore sa i përket opozitës. Ata kanë vendosur të anashkalojnë debatet dhe përplasjet me LVV dhe të shpalosin programet e tyre të detajuara, duke u ofruar qytetarëve një njohje më të mirë të zgjidhjeve që ata ofrojnë në të gjitha sektorët. Ajo që bie në sy është se temat e rëndësishme, si dialogu me Serbinë dhe situata në veri, nuk janë shumë të pranishme në programet e partive opozitare. Pra, këto nuk janë temat kryesore mbi të cilat ata kërkojnë votat e qytetarëve.
Sipas jush, cilët faktorë do të ndikojnë më së shumti në orientimin e votës së qytetarëve? Ekonomia, siguria apo diçka tjetër?
Lama:Gjatë këtyre katër viteve, sa herë që çështja e veriut ka qenë në qendër të vëmendjes, LVV ka parë një rritje të mbështetjes në sondazhe. Duket se kjo strategji do të ndiqet sërish nga partia në pushtet. Megjithatë, nga sondazhet, duket qartë se ekonomia është çështja kryesore që shqetëson qytetarët, dhe partitë opozitare kanë vendosur ta adresojnë këtë në programet e tyre. /vizionplus.tv