Ashtu si në Tiranë, edhe në qytete të tjera të vendit u përkujtua këtë të premte 80 vjetori i Çlirimit.
Në Shkodër, u zhvillua si zakonisht një ceremoni në Varrezat e Dëshmorëve, por nuk munguan përplasjet mes anëtarëve të Partisë Komuniste dhe veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare.
Për komunistët, të cilët vendosën një kurorë me yll në emër të tyre, mos-përmendja e Enver Hoxhës si kontribues në Çlirimin e Shqipërisë përbën një fyerje.
Homazhe u zhvilluan edhe në Vlorë, ku morën pjesë drejtuesit e pushtetit vendor, deputetë, të moshuar si dhe nxënës të shkollave.
Mijëra qytetarë kujtuan të rënët e luftës edhe në Korçë, Elbasan, Berat, Fier, Gjirokastër, Krujë, Mat etj.