Nga e hëna në transportin publik të qytetit përfshihen edhe transportuesit privat, por jo me kapacitet të plotë.
Përfaqësuesit e tyre sot deklaruan se në komunikacion do të përfshihen ata transportues që kanë mundësi financiare. Apelojnë te kryetarja e Qytetit të Shkupit, këshilltarët dhe Qeveria në një takim të përbashkët të gjejnë zgjidhje të përbashkët të pranueshme për kërkesën e tyre për rritjen e çmimit për një kilometër të kaluar.
“Transportuesit privat do ta japin maksimumin e tyre nga e hëna gjegjësisht do të përfshihemi në orët e hershme të mëngjesit aq sa mundemi, jo me kapacitet të plotë me qëllim që për disa ditë t’ua lehtësojmë qytetarëve në qytetin e Shkupit. Në të njëjtën kohë, shfrytëzojmë rastin t’u apelojmë të gjithë këshilltarëve në Qytetin e Shkupit – Kërkojmë që njëzëri të votohet për rritjen e çmimit për kilometër me qëllim të përmirësimit të gjendjes në transportin publik të qytetit. Me çmim të rritur marrim përsipër të rinovojmë parkun tonë vozitës me autobusë ekologjik të klimatizuar”, tha sot Jovica Zafirovski.
Ai theksoi se transportuesit privat kanë 200 autobusë dhe se mund të mbulojnë mungesën e autobusëve të NQP-së nëse gjendet një zgjidhje e pranueshme e përbashkët me Qytetin.
“Ne kemi 200 autobusë, mund ta mbulojmë mungesën e autobusëve të NQP-së dhe gjithë kriza do të përfundojë shumë shpejtë. Në takim do të lëmë hapësirë të shohim se cilat janë mundësitë e Qytetit të Shkupit”, tha Zafirovski.
Problemi me transportin publik të qytetit kulmoi të enjten pasi, për shkak të mungesës së naftës, shumica e autobusëve të NQP-së mbetën të parkuar në bazat e tyre. Janë vënë në qarkullim 25 autobusë me gaz natyror dhe disa të tjerë që kanë rezervë nafte. Qeveria ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën është marrë vendim që të intervenohet me naftë nga rezervat shtetërore, në mënyrë që autobusët të kenë naftë për shtatë ditë. Të njëjtën ditë ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme edhe Këshilli i Qytetit të Shkupit, në të cilin është përshëndetur vendimi i Qeverisë për huazimin e naftës nga rezervat shtetërore për nevojat e Ndërmarrjes Qarkulluese Publike (NQP), dhe në të njëjtën kohë ata kërkuan në koordinim me BNJVL-në që të vazhdojnë bisedimet me Qytetin e Shkupit për normalizimin e gjendjes në qytet.
Kryeministri Hristijan Mickoski mbrëmë nga Beogradi paralajmëroi mundësi për furnizimin e autobusëve të rinj elektrik.
Shkup: Transportuesit privat nga e hëna përfshihen në komunikacion, por jo me kapacitet të plotë appeared first on Telegrafi.