Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, sot në konferencë për shtyp njoftoi se në Kuvend kanë dorëzoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar.
Ai tha se me këto ndryshime, qytetarët do të kursejnë në muaj nga 1200 deri 2000 denarë.
“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar parasheh heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore, pra nga 5% në zero për qind të TVSH-së për të gjitha produktet ushqimore bazë. Propozimi përfshin mbi 250 kategori të produkteve që do të kenë TVSH zero për qind”, tha Filipçe.
Duke pasur parasysh se pjesëmarrja e ushqimeve dhe pijeve në shportën e konsumit është 23.000 denarë, sipas Filipçes, efektet e uljes së TVSH-së në zero për qind do të sjellin kursime për qytetarët deri në 2 mijë denarë në muaj.
“Ajo që është më e rëndësishme është se për zbatimin e projektligjit nuk kërkohet sigurimi i mjeteve financiare dhe kjo masë nuk do të mund të luhet nga tregtarët siç ndodhi me masat e Qeverisë së Hristijan Mickoskit”.
“Përmes konsultimeve me ekspertë dhe biznes sektor, LSDM ka zhvilluar masa që mbrojnë standardin e qytetarëve pa i ngarkuar kompanitë dhe ne si opozitë mbetemi të përkushtuar në mbrojtjen e interesave të tyre”, shtoi Filipçe.
Ai u bëri thirrje të gjithë deputetëve, pavarësisht nga ideologjia politike, të mbështesin ligjin, por kritikoi edhe politikat e qeverisë.
“Pas një muaji, masa e qeverisë për produktet ushqimore bazë gjoja më të lira ka rezultuar krejtësisht joefektive. Shporta e konsumit u zvogëlua për vetëm 57 denarë, ndërsa pagat në të njëjtën kohë po bien. Realiteti është se një pjesë e madhe e çmimeve nuk u ulën, disa u ulën minimalisht, për disa produkte madje u rritën”, theksoi Filipçe./Telegrafi/
LSDM dorëzon ligj për uljen e çmimeve: Qytetarët do të kursejnë deri në dy mijë denarë në muaj appeared first on Telegrafi.