Sindikatat nuk komentojnë arritjet e qeverisë në 100 ditët e para, ndërsa biznesi është i zhgënjyer. Pronarët e bizneseve thonë se kishin pritshmëri të mëdha, por nuk morën asgjë. Ata thonë se qeveria i anashkaloi problemet e tyre. Ndonëse 250 milionë euro nga kredia hungareze janë për biznes, nga Organizata e Punëdhënësve (OP) thonë se përpos që dinë shumën, nuk kanë ndonjë kusht specifik për këto para.
“Ajo që prisnim ishin pritshmëri shumë të mëdha dhe nuk morëm pothuajse asgjë. Prisnim se do të kishte kuptim për biznesin dhe për të gjitha krizat, por vazhdimisht flitej për rritje të pagave në administratën publike, para për komunat, që me një fjalë do të thotë asgjë”, tha Vladanka Trajkovska, kryetare e OP-së.
Sindikatat nga ana tjetër presin të dëgjojnë nga përfaqësuesit e Qeverisë në Këshillin Ekonomiko-Social se çfarë kanë bërë për ta këto tre muaj.
“Derisa të ulemi në një seancë të Këshillit ekonomiko-social dhe të dëgjojmë se çfarë do të bëjnë dhe çfarë kanë bërë për ne, nuk do të komentoja. Por ajo që mund të them është se nesër do të jetë dita e 101-të e punës së Qeverisë së re dhe asgjë nuk do të ndryshojë përsëri”, tha kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
Prej muajsh, edhe para zgjedhjeve, ata kërkuan që paga minimale, e cila sipas të dhënave është ndër më të ulëtat në rajon, të rritet menjëherë në 100 ditët e para të punës së qeverisë së re.
Dhe ekonomistët kanë kritika. Ata thonë se në 100 ditët e para, përveç kredisë nga Hungaria, nuk mbajnë mend asgjë tjetër.
Sindikatat kërkojnë prej kohësh takim me kryeministrin, por edhe mbajtjen e Këshillit ekonomiko-social. Organizata e punëdhënësve shpreson se arsyeja pse nuk është mbajtur ende ky këshill është riorganizimi i Ministrisë së Punës dhe Ekonomisë. Ka njoftime se kjo do të ndodhë, por nuk ka data dhe tema konkrete për t’u diskutuar.
Biznesi dhe ekonomistët të dëshpëruar me 100 ditët e para të Qeverisë së re appeared first on Telegrafi.