Kryeministri hungarez, Viktor Orban, të enjten dhe të premten do të jetë mysafir i kryeministrit Hristijan Mickoski në Ohër. Kredia nga Hungaria, bashkëpunimi dypalësh, operatori mobil hungarez 4iG (ForAiGji), si dhe mbështetja hungareze për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut pritet të jenë në fokus të bisedimeve mes kryeministrave të të dyja vendeve.
Delegacioni nga Qeveria hungareze do të udhëhiqet nga kryeministri i Hungarisë, ndërsa janë paralajmëruar edhe takime të ministrave të Maqedonisë së Veriut me kolegët nga delegacioni hungarez.
Siç është paralajmëruar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, takimi zyrtar kokë më kokë është paraparë të premten. Më pas në hotelin “Inex Olgica” do të mbahet një takim i përbashkët ndërqeveritar dhe pas përfundimit, të dy kryeministrat do të mbajnë një konferencë për media.
Interesi më i madh publik është kredia nga Banka Hungareze e Eksport-Importit në shumën prej 500 milionë euro. Huamarrja do të tërhiqet në një këst, afati i shlyerjes së kredisë është 15 vjet, duke përfshirë një periudhë mospagimi prej tre vitesh, norma e interesit është fikse dhe është 3.25 për qind. Maqedonia do t’i paguajë Bankës Hungareze të Eksport-Importit, një kompani private me përgjegjësi të kufizuar, komision për mjetet e patërhequra në vlerë prej 0,5 për qind të kredisë në vit. Gjysma e mjeteve nga kjo kredi, siç sqaruan përfaqësuesit e qeverisë, do të përdoret për zhvillimin e komunave, ndërsa pjesa tjetër si ndihmë për ekonominë dhe për nevoja buxhetore.
Sektori i Punëve të Brendshme në Ohër thotë se po ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme të sigurisë, me qëllim zhvillimin e sigurt dhe të pandërprerë të aktiviteteve të parapara. Fillimisht po bëhet njoftimi për dislokim të automjeteve nga disa vendparkime në Qytet, ndërsa për më datë 26 dhe 27, gjatë lëvizjes së automjeteve të delegacioneve, paralajmërohet edhe mbyllje e përkohshme e disa rrugëve.
Kryeministri hungarez Viktor Orban nesër dhe pasnesër qëndron për vizitë në RMV, do të jetë mysafir i Mickoskit në Ohër appeared first on Telegrafi.