Zyra e presidentit bullgar Rume Radev dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Sofje kanë reaguar ndaj, siç thonë, “kualifikimeve fyese ndaj Bullgarisë dhe popullit bullgar nga zyrtarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Prej atje thonë se “manipulimi i fakteve dhe reagimet histerike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) nuk ngjallin optimizëm se fqinji jugperëndimor dëshiron të largohet nga fusha e provokimeve dhe skandaleve të orkestruara në marrëdhëniet me Bullgarinë”.
“Dialogu i hapur dhe konstruktiv, edhe në takim joformal, siç ishte ai i mbajtur mes presidentëve të Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut më 13 shtator, me sa duket shqetësoi shumë qarqe të caktuara në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. “Qytetërimi” i qeverisë së re të RMV-së do të gjykohet ende nga fakti nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e fushatave për të nxitur urrejtjen kundër Bullgarisë apo kundër tyre, si dhe nga aftësia e saj për të respektuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe përkushtimi i vërtetë për zbatimin e tyre kriteret e Kopenhagës për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE)”.
“Anëtarësimi në Evropën e bashkuar kërkon vullnet të vërtetë, përpjekje sistematike dhe rezultate konkrete”, thonë nga zyra e presidentit Rumen Radev.
Nga ana tjetër, nga Ministria e Punëve të Jashtme bullgare thonë se “nuk dëshirojnë të marrin pjesë në provokimet e Shkupit”.
“Lidhur me kualifikimet e mëvonshme fyese ndaj Bullgarisë dhe popullit bullgar nga zyrtarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ne refuzojmë kategorikisht të përfshihemi në një ton të tillë joevropian dhe të papajtueshëm me sjellje të mirë. Partnerët tanë janë informuar për provokimet e paprovokuara, të cilat synojnë të prishin dialogun”.
“Edhe një herë ju rikujtojmë rëndësinë vendimtare të zhvillimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore për të ardhmen evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e MPJ-së bullgare.
Përplasje në mes Shkupit dhe Sofjes, presidenti bullgar: Reagimet histerike të RMV-së nuk ngjallin optimizëm appeared first on Telegrafi.