Edhe pse Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dje i reagoi Federatës së Futbollit të Kosovës, të cilës ia bëri me dije se një letër publike e saj përmbanë presion të hapur ndaj gazetarëve dhe mediave, presioni sot veç çka është shtuar ndaj gazetarëve mediave, analistëve sportivë dhe panelistëve të ndryshëm që marrin pjesë në emisone sportive.
Në fakt, sot në orët e pasditës, ka nisur një fushatë e klubeve të futbollit – anëtare të FFK-së, të cilat po lëshojnë komunikata, përmes së cilave po shprehin mbështetje për FFK-në, e në anën tjetër bëjnë presion të hapur kundër emisioneve sportive të televizioneve.
FC Ballkani ishte thuajse i pari që e lëshoi një komunikatë, kur ndër të tjera thuhej:
“Federata e Futbollit të Kosovës është organizata më e lartë e këtij sporti në shtetin tonë, të gjitha garat ku bëjmë pjesë janë nën ombrellën e saj, andaj ne jemi të prirur ta respektojmë maksimalisht këtë organ dhe e mbështesim në çdo rrugëtim që ka të bëjë me interesin e futbollit nacional”.
Në komunikatë po ashtu shkruhej: “Në disa emisione sportive po lejohet tentim degradimi i gjithë punës së madhe që ne kryejmë, sakrificës së jashtëzakonshme që bëjmë, vetëm e vetëm që ta shtyejmë përpara agjenden kombëtare të fuqizimit të progresit në futbollin tonë”.
Në deklaratë “goditet” edhe gazetari e publicisti Baton Haxhiu, i cili sot e lëshoi një letër të hapur për gjendjen e futbollit, që sipas Haxhiut, lë shumë për të dëshiruar.
“Referuar edhe një letre të hapur të një gazetari i cili nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe kurrëfar ndikimi në këtë lëmi, synon të na mbajë ligjeratë e të na mësojë se si të veprojmë. Ne i njohim të gjithë njerëzit e fushës, ne punojmë gjithmonë vetëm me profesionistë, prandaj kemi arritur që ta rrisim nivelin nga viti në vit, jo duke dëgjuar ata që nuk janë kompetentë”.
Kjo deklaratë pastaj është lëshuar edhe nga dhjetëra klube të futbollit kosovar. Pjesa dërmuese është e shkruar njëjtë, me aty-këtu ndonjë ndryshim të vogël. Të rralla janë klubet që kanë lëshuar komunikatë të shkruar ndryshe.
Është më e lehtë të numërohen klubet e futbollit që deri tash nuk kanë lëshur komunikata të tilla – e që mund të lëshojnë në orët në vijim – sesa klubet që e kanë bërë një gjë të tillë.
E kjo po ndodh kur kampionati i futbollit tashmë ka filluar qe 5-6 javë, ndërsa gara e klubeve parashihet e madhe dhe konkurruese si për titull, Kupë, kualifikim në gara evropiane, mbijetesë në ligë apo inkudrim në një rang më lartë.
Kjo situatë erdhi pasi FFK dje kërkoi nga Komisioni i Pavarur i Mediave dhe AGK të ndërhyjnë në emisonet sportive. Kjo kërkesë e FFK-së u konsiderua absurde nga AGK, e cila përmes një reagimi tha: “Kërkesa e FFK-së ndaj AGK-së, formë e presionit ndaj medieve dhe gazetarëve. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar një kërkesë nga Federata e Futbollit të Kosovës, në të cilën ajo shpreh pakënaqësi për diskutimet që bëhen në emisionet sportive për këtë institucion dhe Kombëtaren e Kosovës. Në letër, FFK-ja, akuzon, pa asnjë bazë, disa emisione sportive se po bëjnë “fushatë mediale kundër FFK-së”.”
“AGK-ja, e konsideron këtë letër të hapur të FFK-së, si të papranueshme dhe presion të hapur ndaj gazetarëve dhe medieve në Kosovë. Liria e shprehjes dhe liria e medies janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, dhe është detyrë e gazetarëve dhe medieve, që ta mbajnë FFK-në përgjegjëse për vendimet dhe veprimet e saj”
Më poshtë gjeni komunikatën e AGK-së dhe klubeve:
Presionit të FFK-së ndaj mediave i bashkohen dhjetëra klube me komunikata “Copy-Paste” / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.