Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë u bë temë debati në javët e fundit për shkak të gjendjes së saj të mjerueshme përkundër investimeve për renovimin e saj.
Ministria e Sportit i kishte shpenzuar 1,3 milion euro për vendosjen e fushës hibride, që është kombinim mes barit natyral dhe atij artificial.
Por, derisa skuadrat kosovare luajtën në Evropë dhe Kombëtarja e Kosovës me Rumaninë, fusha u kritikua ashpër nga mysafirët pasi mungonte bari natyral dhe shihej rëra e vendosur në fushë.
Për këtë, sot në Kosovë ka zbarkuar Tugrul Hocaoglu, doktor i agronomisë dhe ekspert i fushave nga UEFA, i cili ka qenë përgjegjës për stadiumet e finales së Champions League.
Ai, i shoqëruar nga ministri i Sportit, Hajrulla Çeku dhe nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi, shpjegoi se bari natyral është në proces rritjeje dhe për këtë është e nevojshme kohë.
Momentalisht, moti që po mbretëron është në favor të këtij procesi dhe puna do të kryhet intensivisht për një muaj.
Me këtë rast, FFK-ja njofton se u mor vendimi që “në 25 ditët e ardhshme, duke filluar nga dita e sotme, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nuk do të ketë asnjë aktivitet sportiv, as ndeshje as seanca stërvitore, sepse fusha do të punohet për të arritur qëllimin e të gjithëve, kompletimin e fushës hibride me rritjen e barit natyral në të.”
Aktivitetet në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” do të rikthehen për ndeshjen e radhës të Kombëtares së Kosovës më 15 tetor.
Stadiumi “Fadil Vokrri” mbyllet deri në tetor / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.