“Marca”, e njohur si një nga mediat më të mëdha spanjolle ka shkruar rreth ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur te Kosova.
“Kosova është zhytur në një skandal të paprecedentë që ka prekur kombëtaren e tyre të futbollit”, kështu nis shkrimi i gazetës së madhe spanjolle “Marca” për zhvillimet e fundit te “Dardanët”.
Kosova ka fituar vëmendjen e disa mediave të mëdha pas akuzave se kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka kërcënuar lojtarët se do t’iu shkatërronte karrierën dhe t’ua thyente këmbët, duke i përjashtuar më pas nga skuadra për përballjen ndaj Qipros.
“Marca” e ka cituar median e njohur kroate, “Sportske Jutarnji” duke i njoftuar lexuesit se si kryetari i FFK-së akuzohet se ka bërë këso kërcënime ndaj lojtarëve si Edon Zhegrova, Aro Muric e Florent Muslija.
Ndër të tjera, “Marca” citoi edhe gazetarin Arlind Sadiku, i cili pretendon se një nga tre futbollistët i ka konfirmuar që lojtarët janë kërcënuar nga i pari i FFK-së.
Ndërkohë, në raport shtohet edhe deklarata e Agim Ademit, i cili kuptohet i ka mohuar këto spekulime, duke deklaruar se ishte vendimi i përzgjedhësit Franco Foda, përmes një interviste në “Top Channel” gjatë ditës së sotme.
Kosova ka tri pikë nga dy ndeshjet e para në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, duke humbur ndeshjen e parë ndaj Rumanisë 3-0, teksa të dytën e fitoi 4-0 në udhëtim te Qipro.
“Dardanët” pozicionohen të dytit në tabelë, pas Rumanisë që ka 6 pikë.
Ndeshjen e ardhshme, Kosova e luan në tetor ndaj Lituanisë si mysafir.
Ngjarjet e fundit te Kosova bien në “sy” të medias së madhe spanjolle / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.